Kosova e re pritet të përfundojë në vitin 2016
Prishtinë, 31 dhjetor - Termocentrali Kosova e re pritet të përfundojë deri në 2016-ën, ndërsa vitin e ardhshëm do të përzgjidhet kompania fituese për realizimin e këtij projekti, thotë ministrja në dorëheqje e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula.
Katër konsorciume ndërkombëtare, nga gjashtë sa kishin aplikuar për këtë projekt, i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e termocentralit.
Shiroka-Pula thotë se realizimi i këtij projekti duhet të jetë prioritet në agjendën e qeverisë së re të Kosovës.
Edhe me strategji është paraparë që në vitin 2015-2016 të startojmë me Termocentralin \'Kosova e re\'. Kur është ndërtuar kjo strategji, është menduar rreth 5 ose 6 vjet... Do të thotë, nuk jemi shumë larg objektivave dhe planeve që i kemi paraparë në kuadër të strategjisë, thotë Shiroka-Pula.
Projekti Kosova e re është shtyrë vit pas viti. Për këtë, Ethem Çeku, ministër i Energjisë në kohën kur është punuar projekti, shprehet skeptik se termocentrali mund të përfundojë deri në vitin 2016.
Ai madje thotë se nuk është e qartë nëse janë ende në garë kompanitë kualifikuese.
Unë jam skeptik shumë i madh... Në qoftë se llogarisim se ende nuk është bërë pakoja tenderuese, e pas saj ka disa muaj apo vit që merr negocimi për marrëveshje, shohim se këta janë në pikën zero të projektit Kosova e re, thotë Çeku.
Sipas tij, zvarritja e finalizimit të Termocentralit Kosova e re, rrezikon vendin të përballet me mungesë të madhe të energjisë elektrike në vitet e ardhshme, e rrjedhimisht edhe me probleme të tjera.
Kosova do të hyjë në krizë të madhe zhvillimore, në shpenzime të mëdha buxhetore, do të na ikin investitorët e jashtëm... Edhe për shumë vite, ne do të mbesim vendi më i varfër në Evropë, për shkak të mungesës së madhe të energjisë elektrike.
Logjikisht, na bën të kuptojmë se buxheti i Kosovës do të derdhet në masë të madhe në drejtim të kompanive të rajonit, për të blerë energji elektrike, thotë Çeku.
Por, Justina Shiroka-Pula, mungesën e energjisë elektrike nuk e lidh me Termocentralin Kosova e Re. Sipas saj, reduktimet e energjisë janë pasojë e mospagesës së faturave të shpenzuara të rrymës.
Në qoftë se i krahasojmë vendet në Ballkan, shohim se Kosova afër 87 për qind të energjisë i mbulon me prodhim të vetin; vetëm 12, eventualisht 13 për qind importon gjatë dimrit. Vendet në Ballkan importojnë deri në 30 për qind e më shumë, si: Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria.
Pra, nëse e shohim këtë raport, se konsumi i energjisë mbulohet në sasinë më të madhe me prodhimin vendor, do të thotë se ne nuk qëndrojmë keq sa u përket nevojave dhe prodhimit të energjisë, thekson Shiroka-Pula.
Termocentrali Kosova e re llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në vend. Përgatitjet rreth tij kanë filluar qysh në vitin 2005, kur edhe është miratuar Strategjia për Zhvillimin e Energjisë, me të cilën është vendosur të nisë ndërtimi i një termocentrali, të quajtur në atë kohë Kosova C.
/rel/