Kosova e përkushtuar të bëhet pjesë e tregut evropian të energjisë
Në hapje të Konferencës, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli tha se hapja e tregut të energjisë nuk është një proces që mundet të bëhet shumë thjeshtë, por kjo kërkon përgatitje të gjatë dhe atë në nivelin evropian.
Hapja e tregut do të nënkuptonte çmime dhe kualitetit më të mirë për konsumatorët prandaj është bërë dhe po bëhet punë që të kemi një treg sa më të hapur. Për këtë janë vendosur rregulla nga dokumentet e përpiluara në Bruksel mbi Aqui Communitaire jo vetëm në energji por edhe në fusha të tjera që janë tri parimet kryesore në të cilat kjo bazohet; Transparenca, Jo diskriminimi dhe Qasja e barabartë në resurset e palëve të treta, tha Ismajli dhe shtoi se ky sektor hyn në tri sfidat botërore siç janë; ushqimi, uji dhe energjia.
Ai tha se me hapjen e këtij tregut do të vijnë në shprehje burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike, si era, dielli, uji, por Kosova nuk mund të krahasohet me ato vende që cilat kanë më shumë potenciale, andaj standardi 20:20:20 duhet të shihet varësisht nga mundësitë e vendit.
Kreu i MZHE-së tha se Kosova është shumë e përkushtuar që të jetë pjesë e një tregu të gjithmbarshëm evropian të energjisë dhe do të bëjë shumë që ti kontribuoj këtij tregu, duke përmendur këtu ndërtimin e kapaciteteve njerëzore dhe fizike siç është edhe linja 400 kV me Shqipërinë, e cila ka filluar të punohet. Mirëpo, këto linja në Evropë nuk do ta kenë kuptimin e vet në qoftë se nuk do të ketë gjenerim të mjaftueshëm.
Nga ana e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff tha me këtë rast se hapja e tregut energjetik në Evropën Jug-Lindore është një detyrë parësore për vitet e ardhshme dhe kjo do të sjell përfitime për rajonin.
Ai tha se nuk ka dyshim se Kosova do të duhet të ndërtojë TC e ri për të plotësuar nevojat e saj për energji, por krahas kësaj duhet të punojë në zhvillimin e BRE-ve, edhe pse ato mundësi janë të vogla dhe rritjen e eficiencës të energjisë.
Ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu tha se përpos ndihmave financiare, Qeveria Gjermane ndihmon Kosovën edhe përmes bashkëpunimit me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW dhe Agjencisë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar GIZ.
Ai tha se Ambasada e Kosovës në Gjermani ka për synim avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Hamdi Malushaj nga Evroenergie tha se qëllimi i konferencës është që përmes saj të krijojnë një rrjet të madh për rajonin, një vend takim për energjinë ku ekspertë të ndryshëm mund të shkëmbejnë idetë për këtë sektor.
Konferenca Tregu i Energjisë në Evropën Jug-Lindore 2014 vazhdon punimet edhe nesër.