23 Dhjetor 2024

Kosova e përkushtuar në integrimin në tregun evropian të energjisë

Vjenë, 18 qershor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në kuadër të Ditës së Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka njoftuar këtë mekanizëm lidhur me të arriturat njëvjeçare të Kosovës dhe implementimin e prioriteteve që ndërlidhen me reformën strukturore në sektorin e energjisë dhe ekonomisë në përgjithësi.
 
Ministri Beqaj ka ofruar informata rreth aprovimit të akteve nënligjore në sferën e energjisë, zhvillimeve të fundit në procesin e privatizimit të ndërmarrjes së distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike, implementimin e projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, me qëllim të gjenerimit dhe garantimit të sigurisë së furnizimit me energji e cila ka kosto të arsyeshme për të gjithë qytetarët e vendit.
 
Ai po ashtu potencoi përfshirjen dhe kontributin e përfaqësuesve të Kosovës në hartimin e strategjisë rajonale të energjisë dhe përkushtimin e Kosovës të jetë pjesë e unazës së gazit, i cili është në harmoni me Strategjisë së Energjisë të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Me synim të implementimit të standardeve Evropiane 20/20/20 deri në vitin 2020, Ministri Beqaj ka theksuar hapat konkret të cilët janë ndërmarr nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Në këtë drejtim, me qëllim të shfrytëzimit të resurseve alternative të prodhimit të energjisë elektrike, MZHE është duke promovuar vazhdimisht tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga këto burime.

Gjithashtu, më qëllim të reduktimit të barrierave procedurale për ndërtimin e potencialeve energjetike bazuar në energjinë e ripërtritshme, MZHE ka iniciuar themelimin e task forcës e cila ka për obligim të analizojë gjendjen aktuale dhe të propozojë thjeshtësimin e procedurave për pajisje me dokumentet përkatëse.

“Drafti i Planit për burimet e energjisë së ripërtëritshme 2011-2020 është hartuar dhe do të finalizohet brenda vitit 2012, pas komenteve nga ana e SKE, dhe në përputhje me këtë dokument do të caktohet caku për prodhimin e energjisë nga këto burime alternative.\"

\"Implementimi i Planit të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2010-2018 i cili në vete përmban cakun prej 9 %, është në proces të realizimit dhe projekte konkrete janë përkrahur financiarisht nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë kreu i MZHE-së.

Ministri Beqaj ka njoftuar Sekretariatin rreth përgatitjeve të Kosovës në organizimin e Konferencës së Donatorëve në fushën e energjisë, e cila do të organizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Energji të Bashkimit Evropian dhe Bankën Botërore.

Kjo konferencë do të jetë e nivelit te lartë, ku planifikohet edhe pjesëmarrja e Komisionarit të BE-së për Energji, Gunther Oettinger.

Beqaj ka kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që të sigurohen se të gjitha palët respektojnë Marrëveshjet e arritura.

Në mënyrë specifike, ministri ka kërkuar nga Sekretariati që të vazhdojë angazhimin në fushën e përmbylljes së çështjes ligjore që ndërlidhet me shfrytëzimin kundërligjor të rrjetit të transmisionit të Kosovës, nga ana e Serbisë.

Ministri Beqaj potencoi përkushtimin e Kosovës për integrimin në tregun rajonal dhe atë evropian të energjisë, i cili do t’i kontribuoj krijimit të një tregu më të hapur dhe më efektiv, në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit.

Në këtë takim përveç MZHE- së ishin prezent edhe  përfaqësuesit e MTI-së, ZrrE-së, KEK-ut, KOSTT-it dhe autoritetet e tjera relevante.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)