Kosova dhe BE mbajten nënkomisionin e gjashtë të MSA-së për Energji
Prishtinë, 16 mars - Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Evropian diskutuan për zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushën e energjisë, mjedisit, klimës, transportit dhe zhvillimit rajonal. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) e cila ka hyrë në fuqi në prillin e vitit 2016.
Temat e reformës të trajtuara në këtë takim kanë relevancë të drejtpërdrejtë për ekonominë e Kosovës si dhe për mirëqenien e qytetarëve.
U ra dakord që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni të vlerësohen për të siguruar koherencë me parimet dhe prioritetet e iniciativës prioritare të BE-së për Marrëveshjen e Gjelbër dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe për të siguruar përputhshmëri midis dokumenteve përkatëse në secilin sektor.
Për sa i përket energjisë, Komisioni mirëpriti hapat e ndërmarrë për të rritur efiçiencën e energjisë, duke përfshirë zbatimin e Fondit të Efiçiencës së Energjisë, si dhe bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme për të përforcuar masat e efiçiencës së energjisë për familjet private.
Komisioni gjithashtu ftoi Kosovën që të finalizojë dhe miratojë Strategjinë e Energjisë 2022-2031, e cila do të jetë çelës për sigurimin e bazës për dekarbonizim, duke ruajtur edhe sigurinë energjetike dhe sigurimin e furnizimit të përballueshëm, duke rritur zhvillimin e burimeve alternative të energjisë.
Komisioni bëri thirrje gjithashtu që një numër ligjesh në pritje dhe reforma të tjera të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Për mjedisin, Komisioni shprehu shqetësimin për progresin e kufizuar në këtë fushë, e cila është me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre. Në veçanti, Komisioni u interesua për progresin në monitorimin e cilësisë së ajrit në kohë reale dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për uljen e niveleve të ndotjes së ajrit.
Sa i përket veprimit klimatik, Kosova ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por duhet të fillojë zbatimin e saj, si dhe të bëjë përparim në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.
U diskutuan edhe zhvillimet e fundit legjislative dhe politike në fushën e transportit. Komisioni përshëndeti pjesëmarrjen proaktive të Kosovës në Komunitetin e Transportit. Komisioni ftoi Kosovën që të vazhdojë punën lidhur me sigurinë rrugore, në interes të qytetarëve.
Të dyja palët ranë dakord për nevojën e vazhdimit të reformave, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit.
Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni përshëndeti miratimin e strategjisë së zhvillimit rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e planit të veprimit për zhvillimin rajonal.