Kosova dhe BE diskutojnë për Energjinë, Mjedisin, Klimën, Transportin
Prishtinë, 15 mars - Zyrtarët nga Kosova dhe Komisioni Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e Energjisë, Mjedisit, Klimës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cili hyri në fuqi në prill 2016.
Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës së reformave evropiane dhe prioriteteve të Programit të reformave ekonomike, si dhe rekomandimeve nga Raporti i të Komisionit për Kosovën për 2018 dhe rekomandimet e mëhershme përkatëse të nënkomisioneve të tjera relevante.
Sa i përket energjisë, Komisioni përshëndeti miratimin e Programit të Veprimit për Strategjinë e Energjisë 2018-2020 dhe theksoi rëndësinë e zbatimit.
Kjo duhet të përcaktojë qartë prioritetet e Kosovës në këtë sektor, duke përfshirë plane për përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare siç është pakoja e 3-të e energjisë dhe dekomisionimi i TC Kosova A dhe remonti i TC Kosova B. Sa i përket TC Kosova e Re, Komisioni theksoi rreziqet e rëndësishme që lidhen me financimin, ndërtimin dhe ndikimin e mundshëm mjedisor, social dhe fiskal.
Komisioni shprehu shqetësimin për vonesat e vazhdueshme në miratimin e Ligjit për rezervat e detyrueshme të derivateve të naftës.
Komisioni përshëndeti miratimin e Ligjit për efiçiencën e energjisë dhe krijimin e Fondit për efiçiencë të energjisë, megjithatë theksoi rëndësinë e miratimit të legjislacionit sekondar që rrjedh nga Ligji për efikasitetin e energjisë si dhe funksionalizimin e Fondit për efiçiencë të energjisë.
Në nxitjen e përpjekjeve për të arritur objektivat e energjisë së ripërtërishme, Komisioni ftoi Kosovën të siguroj miratimin dhe zbatimin e planit të saj të rishikuar të veprimit për energjinë e ripërtërishme.
Lidhur me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësim për progresin e kufizuar në këtë fushë, e cila ka rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre.
Në veçanti, Komisioni pyeti për përparimin në monitorimin e cilësisë së ajrit në kohë reale dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit.
Në lidhje me veprimin klimatik, Kosova ka miratuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për ndryshimet klimatike, por ka nevojë të fillojë t’i zbatoj ato.
Gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet më të fundit legjislative dhe politike në fushën e transport.
Komisioni theksoi nevojën për të vazhduar zhvillimin e projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit kryesor të transportit për Ballkanin Perëndimor.
Të dy palët u dakordua për nevojën për të vazhduar reformat, duke përfshirë fuqizimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit.
Homologimi i automjeteve mbetet një çështje që duhet të adresohet urgjentisht nga autoritetet e Kosovës.
Për sa i përket sigurisë në rrugë, përderisa e përafron legjislacionin e saj me acquis të BE-së, Kosova duhet të marrë masa konkrete për të përmirësuar sigurinë në rrugë, në interes të qytetarëve.
Së fundi, sa i përket zhvillimit rajonal, Komisioni theksoi rëndësinë e miratimit të strategjisë për zhvillimin e balancuar rajonal.