KOSID: Procesi i jashtëligjshëm për Termocentralin Kosova e Re
Prishtinë, 4 shkurt - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) kundërshton edhe një herë procesin dhe vendimet e Komitetit Drejtues për hapjen e ofertave teknike dhe financiare nga ofertuesi i vetëm, Contour Global.
I përkujtojmë këtij Komiteti, se vazhdimi i këtij procesi bie ndesh me ligjet në fuqi te Republikës së Kosovës.
Neni 32.4 i Ligjit për Prokurim Publik thotë se: nëse gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit, pranohen më pak se dy (2) tenderë të përgjegjshëm ose, kur është e zbatueshme, kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues duhet të anuloj aktivitetin e prokurimit.
Në këtë rast, Qeveria e Kosovës sipas KOSID po mundohet që për zbatim të këtij procesi të marrë për bazë politikat dhe procedurat e prokurimit të Bankës Botërore, të cilat gjithashtu nuk lejojnë të procedohet me vetëm një ofertues.
Më tutje, ky proces jo ligjor dhe aspak transparent, lë shumë mundësi për manipulim të ofertës financiare nga ana e ofertuesit të vetëm.
Çka e komprometon këtë proces më shumë është dhe komunikimi ndërmjet drejtorëve të Bankës Botërore lidhur me këtë proces në një letër e cila shpalos mungesën e transparencës dhe influencën e kanaleve diplomatike të cilët po e shtyjnë projektin e Kosovës së Re, në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës.
KOSID po e bën publike letrën e brendshme me qëllim informimi të qytetarëve të Kosovës rreth mënyrës së manipulimit të të gjithë këtij procesi. Në këtë letër, zyrtarë të Bankës Botërore rrëfejnë se cilët ministra e cilët parti po kërkojnë më shumë transparencë në projektin e Kosovës së Re, e për cilët politikanë kosovarë transparenca nuk paraqet problem dhe janë të gatshëm të shtyjnë tender një-burimor.
Letra shpjegon rolet e shumë akterëve në këtë proces kundërshtues dhe kalkulimet për ecurinë eventuale të tij bazuar në zhvillimet e pritshme.
Edhe njëherë, KOSID kërkon nga Komiteti Drejtues i Projektit ndërprerjen e menjëhershme të manipulimeve dhe shpalljen si të dështuar të procesit të ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.