23 Dhjetor 2024

KOSID organizon konferencë ndërkombëtare për energjinë

Prizren, 28 shkurt - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), mbajti të enjten, një konferencë për shtyp si reagim ndaj gjendjes në të cilën ndodhet sektori i energjisë në Kosovë dhe zgjidhjet e gabuara që po ndiqen në këtë fushë.

Konferenca për shtyp u mbajt në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Opsionet e Qëndrueshme të Energjisë në Kosovë, që në organizim të KOSID-it po zhvillohet në Prizren nga 27 shkurti deri më 2 mars 2013.

Në konferencë po marrin pjesë organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare që janë lidere në fushën e energjisë dhe politikave të qëndrueshme zhvillimore si dhe përfaqësues të institucioneve vendase e ndërkombëtare në Kosovë.

Konferenca ndërkombëtare po mbahet për vitin e tretë me radhë, ku KOSID dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, po përpilojnë strategjinë e veprimit për vitin 2013 dhe planin afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm të KOSID-it, duke i konsultuar në këtë proces edhe institucionet e ndryshme vendase e ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

KOSID-i në këtë konferencë po vë në pah problemet themelore me të cilat po përballet Kosova pas privatizimit të Rrjetit të Distribucionit dhe të Furnizimit, dhe planeve të tjera për investime në energji të qymyrit.
 
KOSID-i, po ashtu, reagon ndaj refuzimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare në Prizren, në kohën kur kjo zyrë në mënyrën më të papërgjegjshme po planifikon ngritjen e çmimeve të energjisë që do të reflektojnë në mënyrën më negative në xhepin e varfër të qytetarëve të Kosovës.

KOSID-i, edhe njëherë, i bën thirrje ZRRE-së që të hapet ndaj shoqërisë civile, dhe të mos pranojë t’iu nënshtrohet planeve të Qeverisë dhe KEK-ut për rritje të mëtutjeshme të çmimeve.
 
Qeveria e Kosovës ka dështuar në procesin e privatizimit në fushën e energjisë. Privatizimi i Kompanisë Kosovare për Distribucion dhe Furnizim me Energji Elektrike ka qenë një nga proceset më të dëmshme në Kosovë. Përveç shitjes me çmim të ulët, Qeveria e Kosovës ka krijuar monopol në distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike.

Edhe pas shitjes së KEDS-it, Qeveria vazhdon të investojë paranë publike në një kompani tanimë private. Kontrata e nënshkruar me konsorciumin privat Calik & Limak parasheh kushtëzim të investimeve me rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët.
 
Edhe procesi i privatizimit të burimeve të reja energjetike nga qymyri, apo ndërtimi i “Kosovës së Re”, është përcjellë më shumë parregullsi. Pakoja tenderuese ka pësuar modifikime nga viti në vit, duke u sjellë në mes të 2100-600 MW.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të duhur duke ndarë “Kosovën B” nga pakoja tenderuese me “Kosovën e Re”, mirëpo ky veprim nuk është përcjellë me veprimet e duhura ligjore, siç është ndryshimi i Strategjisë së Energjisë dhe marrja e pëlqimit të Kuvendit.

Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës planifikon të përzgjedhë fituesin për “Kosovën e Re” brenda vitit, edhe pse nuk janë bërë studimet bazike në drejtim, siç është Studimi për Ndikimin Mjedisor dhe Social, i cili sipas Bankës Botërore nuk do të përfundohet deri në qershor të 2014.

KOSID-i, gjithashtu, ngriti shqetësimin se procesi i privatizimit të KEDS-it dhe politikat e Qeverisë në fushën e energjisë po shkojnë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, detyrimet e të cilit janë ndërkombëtarisht të detyrueshme për Kosovën. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)