KOSID kundërshtoi fuqishëm privatizimin e Distribucionit të KEK-ut
Prishtinë, 9 tetor - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në Konferencën për Media, të organizuar sot, kundërshtoi fuqishëm procesin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike (KEDS).
KOSID ritheksoi të gjeturat e studimit të saj se çmimi i shitjes së KEDS për 26.3 milion EUR është tejet i ulët, përderisa vetëm vlera e investimeve në periudhën 2007-2012 (që është 55 milion EUR) e tejkalon shumëfish çmimin e shitjes së tij.
Po ashtu KOSID shprehu qëndrimin që Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka qenë tërësisht e mbyllur dhe jotransparente ndaj shoqërisë civile sa i përket ofrimit të qasjes në dokumentet publike mbi të cilat është vendosur dhe zhvilluar procesi i privatizimit të KEDS.
Për këtë arsye, Konsorciumi do të ushtrojë padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, meqë kjo e fundit ka shkelur detyrimet e saj ndaj Ligjit mbi Qasje në Dokumente Publike.
KOSID po ashtu theksoi që procesi i privatizimit të KEDS nuk është udhëhequr në mënyrë të drejtë, duke shkelur edhe parimet bazike të mbrojtjes së interesit kombëtar të vendit.
"Këtë e dëshmon edhe fakti që Ombudspersoni i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është pjesë e Bankës Botërore, është duke e hetuar këshilltarin e transaksionit të KEDS", thuhet në komunikatën për media të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Konsorciumi i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të ndërpres procesin e privatizimit të KEDS, dhe të themeloj një komision hetimor parlamentar për ta hetuar tërë procesin e privatizimit të KEDS.