Koraqët e Kovaçeci me energji stabile pas 45 vjetësh
Prishtinë, 18 maj - KEDS-i ka befasuar për të mirë banorët e Kovaçecit të Kaçanikut. Pas gati gjysmë shekulli pritje, investimi në asetet energjetike i ka gëzuar pamasë
Me ardhjen e pranverës, pos zbukurimit të fshatit, Kovaçeci i Kaçanikut është pasururar edhe me trafon e re. Fshati që gjendet përbri lumit Lepenc dhe buzë malit të Lubotenit duket më i plotë.
Investimit më së shumti i janë gëzuar Koraqët e këtij fshati, të cilët ishin gati 45 vjet të lënë në harresë sa i përket aseteve energjetike, tash e kanë jetën më të lehtë, përderisa duken shumë të lumtur.
Mjaft i entuziazmuar është banori i lagjes, Shaip Koraqi, profesor i matematikës në Kaçanik.
E kishim humbur shpresën. Këtu nuk ishte bërë asnjë investim në infrastrukturën energjetike që nga viti 1971. Ne e kishim shtrirë vetë rrjetin nga kodra, por tensioni ishte shumë i dobët, mezi ndizeshin dritat. Tash po frikësohemi mos po prishen pajisjet elektrike që nuk janë mësuar të kenë tension stabil, thotë si me shaka Koraqi.
Ata kanë falënderime të panumërta për KEDS-in. Nuk mund të përshkruhet me fjalë çfarë rëndësie ka për ne ky investim, thotë profesori.
Ky ndryshim drastik në përditshmërinë e tyre e kishte befasuar për të mirë edhe banorin tjetër të lagjes, Arsim Koraqin. Ai kishte shkuar për të punuar në kultivimin e dredhëzave në një kompani në Lipjan. Kur u kthye, pas një jave, një trafo ishte vendosur në hyrje, përderisa shtyllat e reja të betonin e përshkonin përmes lagjen e tij. Nuk u besoja syve. Gjendja kishte ndryshuar krejtësisht. Na u lehtësu jeta shumë, thotë ai.
Tensioni i cili ishte shumë i ulët bëri KEDS-in që të investojë. Kovaçeci ishte identifikuar si fshat me rënie të tensionit. Pas investimit ai është në parametra standard. Gjatë investimit kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me banorët, thotë Fatmir Sejdiu, Koordinator i Mirëmbajtjes në Distriktin e Ferizajit.
Vendosja e trafos dhe rrjetit përcjellës është pjesë e investimeve që po bën KEDS-i në vendbanimet e identifikuara me rënie të tensionit.