Konkurrencë për gazin në Ballkan, Gazprom humb monopolin
Tiranë, 11 janar - Me ndërrimin e viteve në tregun e gazit në Europën Juglindore pati tre zhvillime me rëndësi që do të kenë vazhdë të gjatë pasojaash: Më 1 janar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dha me ceremoni sinjalin e startimit: Vendi i tij do të furnizohet tanimë me gaz rus përmes një itinerari të ri - nga Bullgaria përmes një gazsjellësi në Ballkan, Balkan Stream, një degëzim i gazsjellësit Turkish Stream.
Vetëm pak orë më parë, ende në vitin e vjetër, filluan furnizimet nga Axerbajxhani drejt Bullgarisë përmes gazsjellësit të sapopërfunduar, Trans Adriatik, i njohur si gazsjellësi TAP.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov theksoi po ashtu ditën e Vitit të Ri, gjatë një vizite në një stacion kompresori në kufirin grek: „Nga sot kemi diversifikim të plotë." Thënë ndryshe, ai me këtë bëri të ditur fundin e monopolit të koncernit Gazprom në tregun bullgar.
Zhvillimi i tretë në Vitin e Ri ishte vënia në punë komercialisht e terminalit të ri mobil për gazin e lëngshëm, LNG para ishullit kroat, Krk.
Një anije cisternë solli gazin amerikan, LNG, i cili u modifikua dhe u fut në rrjetin e tubacioneve të vendit, që po ashtu është i lidhur me rrjetin europian.
Me këtë Kroacia po ashtu degëzon furnizimin, që deri më tani vinte vetëm nga Gazprom. Kroacia tani mund të veprojë edhe si eksportuese e gazit psh. në Hungari apo Ukrainë.