KOMF prezanton një dokumet me të dhëna për mbrojtjen e ambientit
Prishtinë, 18 nëntor - Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara për nder të shënimit të 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF organizon konferencë për media.
Përmes kësaj konference, Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të KOMF ka për qëllim të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë.
Viteve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me problemin e ndotjes së ajrit, sidomos në zonat urbane, ndërkaq fëmijët mbesin pjesa më e atakuar nga dëmet që shkakton ndotja e ajrit.
Ekspozimi afatgjatë i fëmijëve në një ambient të ndotur mund të ketë pasoja të mëvonshme shëndetësore fizike dhe psikologjike tek ta.
Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi do të prezantojë një dokument faktik të gjendjes aktuale në Kosovë sa i përket ndotjes së ambientit, dëmet që shkaktohen tek fëmijët dhe masat që duhet të ndërmerren për tu mbrojtur nga ndotja e ambientit.
Grupi Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi është strukturë organizative brenda KOMF, e përbërë nga organizatat anëtare dhe jo anëtare të KOMF, të cilat marrin pjesë në përputhje me profilin e tyre, ekspertizën, fushën e veprimit dhe atë të interesit.
Ky grup ka për qëllim ndikimin në hartimi e politikave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në fushën e shëndetësisë.