KMDLNJ reagon ndaj shkyçjeve kolektive të KEK-ut
Prishtinë, 22 dhjetor - Me gjithë paralajmërimet nga ana e KMDLNj së, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, ka vazhduar me fushatën e shkyçjeve kolektive të vendbanimeve dhe lagjeve në tërë territorin e Kosovës.
KMDLNj edhe njëherë tërheq vëmendjen që një fushatë e tillë është në kundërshtim të plotë me standardet ligjore të aplikueshme në Kosovë.
Gjithashtu kjo fushatë bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut. KEK duhet të gjejë mënyrë që të mos i dënojë paguesit e rregullt dhe kategoritë e përfshira në asistencë sociale dhe kategoritë tjera të liruara, sipas ligjeve në fuqi. Në të kundërtën, kjo korporatë mundë të shndërrohet nga paditëse në të paditur.
KMDLNj kërkon nga KEK të shfrytëzojë rrugën ligjore të denoncimeve. Kjo do të ndihmonte që të mos dënoheshin konsumatorët që kryejnë detyrimet financiare ndaj KEK.
"Shkyçjet kolektive që po aplikohen nga kompani publike janë jashtë çdo standardi të të drejtave të njeriut. Kompanitë publike nuk kanë asnjë justifikim ligjore për të aplikuar këtë metodë dënimi kolektiv", thotë KMDLNJ.