Kërkohet serish të pezullohen urgjentisht punimet në ndërtimin e hidrocentraleve
Prishtinë, 29 qershor - Organizatat e Shoqërisë Civile të koalicionit Pro Open kanë kërkuar serish të pezullohen urgjentisht punimet në ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë deri në harmonizimin e strategjisë së energjisë së ripërtrishme konform Marrëveshjes së re të Gjelbër të Bashkimit Evropian.
Pro Open konisderon se në kohën kur Kosova po përballet me një mungesë të theksuar të ujit të pijshëm, Ministria e Tregtisë përmes vendimit të saj po e lejon degradimin e lumenjëve duke lejuar ndërtimin e hidrocentraleve.
"Ne, organizatat e shoqërisë civile të koalicionit Pro Open, shprehim zhgënjimin e thellë me të gjitha qeveritë, të cilat asnjëherë nuk i kanë trajtuar me seriozitet thirrjet për ndalimin e degradimit të ambientit dhe varrosjen e lumenjve të Kosovës", thekson Koalicioni Pro Open.
Institucionet publike pa dallim, përtej deklaratave të thata, kanë vazhduar të injorojnë zërin e ngritur nga qytetarët për më shumë se gjysmë dekade përmes protestave si dhe zërin e shoqërisë civile në mbrojtje të resurseve natyrore dhe ndalimin e abuzimit me ujin, të cilat edhe në këto ditë të pandemisë po shkatërrohen me intensitet të lartë të punimeve në zonën turistike të Brezovicës, pjesë integrale e Parkut Kombëtar “Sharri”, pasojat e mëdha mjedisore nga hidrocentralet në Deçan, si dhe dëmet potenciale në tokat bujqësore përskaj brigjeve të këtyre lumenjve.
Qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, vazhdimisht kanë prezantuar argumente dhe fakte se si lumenjtë, ambienti dhe popullata që jeton në afërsi të tyre po shkatërrohen dhe degradohen në pa kthim nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.
Për më shumë, këto hidrocentrale sipas Koalcionit Pro Open janë vlerësuar të padobishme edhe në nivel ndërkombëtarë, dhe vazhdimi i ndërtimit të tyre bie ndesh me Marrëveshjen e re të Gjelbër të Bashkimit Evropian për sigurimin e energjisë të ripërtrishme.
"Ne, ju rikujtojmë se sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zona turistike me potencial zhvillimor, që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, dhe shumë dëme të tjera", rikujton Koalcioni Pro Open
Për këto arsye, ne organizatat e shënuara më poshtë kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës që urgjentisht të marrin vendim që të pezullohen punimet në ndërtimin e mini hidrocentraleve dhe hidrocentraleve të vogla, dhe urgjentisht të rishikohet strategjia për burime të ripërtrishme të energjisë, konform Marrëveshjes së re të Gjelbër të Bashkimit Evropian.
"Ne, organizatat e shoqërisë civile, kërkojmë që në asnjë formë të mos ndërmirret asnjë veprim në drejtim të punimeve në këto hidrocentrale, derisa të rishikohen të gjitha dokumentet relevante të institucioneve përgjegjëse në lidhje me ndërtimin e mini hidrocentraleve dhe hirocentrale të vogla si dhe derisa të definohet qartë interesi publik në lidhje me mbrojtjen e ambientit, lumenjve, jetës së qytetarëve dhe këtyre projekteve të hidrocentraleve", deklaron Pro Open.
Organizatat përkrahëse:
Iniciativa për Progres (INPO)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Demokraci Plus (D+)
Çohu
FOL
Instituti Riinvest
Ec Ma Ndryshe
Environmentally Responsible Group (ERA)
OJQ Gjethi
Kosovo Advocacy and Development Center (KADC)