23 Dhjetor 2024

Kelkos heqë dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve

 Prishtinë, 20 tetor - Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë publike që Kelkos heqë dorë nga paditë e pabaza për shpifje ndaj Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

Avokatja Rina Kika përfaqësuese ligjore e aktivistëve tha se me datë 18 tetor është njoftuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e Kelkos Energy për heqjen dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve mjedisorë Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

“Avokatët e Kelkos më kanë përcjellë njoftimet zyrtare për heqje dorë nga të dy paditë të cilat iu janë përcjellur Gjykatës Themelore të Pejës - Dega Deçan. Ata kanë hequr dorë nga të dy paditë, pa asnjë kusht dhe menjëherë”, tha Kika. 

Sipas saj, me heqjen dorë nga këto dy padi u dëshmua ajo që e kemi thënë gjatë tërë kohës, se Kelkos e ka ditur se nuk mund të fitojë me këto padi të pabaza në gjykatë dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata ta fitojnë procesin, qëllimi ka qenë frikësimi i aktivistëve që i kritikojnë operimet e kësaj kompanie.

“Padi të tilla që tentojnë ta heshtin debatin publik për çështje të interesit publik siç është mbrojtja e ambientit janë të dëmshme dhe duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjithë.” deklaroi ajo.

Ndërkaq, aktivistja Shpresa Loshaj, tha se Kelkosi na ka paditur duke menduar se do të jemi vetëm.

“Ata menduan se ne do të jemi vetëm dhe do ta shterim energjinë duke u mbrojtur nga ta, por energjia për mbrojtjen e Lumbardhit është e pashtershme, falë mbështetjes së aktivistëve dhe qytetarëve nga e mbarë Kosova”.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se fatkeqësisht tashmë rastet e Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike apo paditë SLAPP, janë pjesë e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën.

“Në raportin vjetor për Kosovën të Komisionit Evropian vlerëson se gjatë vitit kishte rritje shqetësuese të Padive SLAPP të paraqitura në gjykata, padi këto të cilat përdoren për të kërcënuar dhe paditur gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile në mënyrë që t'i frikësojnë ata”, tha ajo.

Sipas saj, tërheqja e padive nga Kelkos vie si rezultat i kundërshtimit nga një numër i madh i organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga Kelkos që të heqë dorë nga paditë ndaj aktivistëve.

Madje edhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International kishte kërkuar nga Kelkos në qershor të këtij viti që të tërhiqet nga paditë.  

“Unë ju bëj thirrje të gjithë aktivistëve apo gazetarëve, të cilët ballafaqohen me paditë SLAPP që të paraqiten tek Lëvizja FOL, sepse ne, përmes një grupi avokatësh të cilët kanë ofruar shërbimet e tyre pro bono për këto raste. Ne poashtu në kuadër të ueb faqes së Lëvizjes FOL tashme kemi filluar të bëjmë dokumentimin e padive SLAPP”.

Aktivistët ishin paditur për shpifje për shkak të deklaratave që kritikonin kompaninë në lidhje me operimet e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

Kelkos në qershor të vitit të kaluar ka kërkuar nga Shpresa Loshaj 100,000 euro kompensim dëmi për kinse “dëmtim të imazhit” për shkak të deklaratave të saj.

Ndërkaq, nga Adriatik Gacaferi kanë kërkuar 10,000 Euro kompensim dëmi për shkak të një postimi në Facebook në lidhje me futjen e ujit të lumit në gypat e hidrocentraleve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)