23 Dhjetor 2024

KEK zhpenzon 8 milionë euro në “llogari” të “Limak”

Prishtinë, 11 shkurt - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po zhpenzon mijëra euro për vendosjen e matësave elektrikë digjitalë në distribucionin, të cilin e ka blerë kompania turke “Limak”.

Ritmi i ndërrimit të njehsorëve ditëve të fundit është shtuar edhe më shumë, ndonëse po afrohen ditët kur kompania turke do ta marrë në menaxhim distribucionin e KEK-ut, të cilin e bleu për 26 milionë euro. Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se me urdhër të menaxhmentit të KEK-ut, punëtorët janë të obliguar që sa më shumë njehsorë të ndërrojnë brenda ditës.

“Kemi urdhër nga menaxhmenti që të ndërrojmë sa më shumë njehsorë para se kompania turke ta marrë në menaxhim distribucionin. Procesi i ndërrimi të njehsorëve pati filluar me herët, por unë s’po mundem ta kuptoj pse po vazhdon ai proces edhe tash kur dihet publikisht se distribucioni i KEK-ut është shitur. Prokuroria dhe hetuesia ka shumë punë në KEK”, tha burimi i besueshëm i gazetës.

Në anën tjetër, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës konfirmojnë se zëvendësimi i njehsorëve mekanikë me njehsorë digjitalë është duke vazhduar edhe më tej, por, sipas tyre, ky është projekt i nisur kohë më parë dhe, sipas tyre, ai nuk ka mundësi të ndalet.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK),Viktor Buzhala, thotë se projekti i njehsorëve digjitalë është projekt i nisur para afro gjashtë vjetësh.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe KEK-u ka blerë njehsorë digjitalë nga firmat me renome botërore si “Iskra”, “Landis&Gyr”, “Actaris” dhe “ZPA”.

Sipas zëdhënësit Buzhala, prej fillimit të projektit e deri më tash KEK-u ka instaluar 79,484 njehsorë të thjeshtë elektronikë për instalim te konsumatorët shtëpiakë dhe të vegjël komercialë. Sipas Buzhalës, një njehsor për këtë qëllim Korporatës i ka kushtuar mesatarisht 46.10 euro.

Po ashtu, Buzhala thotë se përveç këtyre njehsorëve, KEK-u ka instaluar edhe rreth 14,000 njehsorë, grupe matëse me mundësi komunikimi nga distanca për llogaritje të energjisë në trafostacionet, si dhe te konsumatorët me konsum të lartë të energjisë elektrike. Ai tha se një njehsor i këtij lloji KEK-ut i ka kushtuar hiç më pak se 320 euro.

“KEK-u planifikon që në periudhën 2013-15 të bëjë ndërrimin e të gjithë njehsorëve të vjetër elektromekanikë me njehsorë të rinj elektronikë te të gjithë konsumatorët”, tha ai.

Edhe Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Elektro Kosovës, thotë se KEK-u ka nisur një fushatë të ashpër të ndërrimit të njehsorëve në gjithë territorin e Kosovës. Sipas tij, në gjithë vendin janë rreth 70 ekipe që për çdo ditë duhet të ndërrojnë së paku nga 10 njehsorë.

“Unë së bashku me një koleg për çdo ditë ndërrojmë më shumë se 70 njehsorë në gjithë Kosovën. Por, si ne janë edhe 70 ekipe tjera që pa ndërprerë ndërrojnë njehsorë”, tha ai.

Të hetohet ndërrimi i njehsorëve

Në anën tjetër, njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të partive politike ndërrimin e njehsorëve e shohin si veprim shumë të dyshimtë të menaxhmentit të KEK-ut. Sipas tyre, këtu urgjent duhet të ketë punë hetuesia.

Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest” në Prishtinë, thotë se nëse ndërrimi i njehsorëve bëhet me paratë e taksapaguesve privatë në kohën që distribucioni, pra pronari i njehsorëve, është privatizuar, atëherë, sipas tij, kemi të bëjmë me një akt të pastër antiligjor, me të cilin duhet të merren institucionet tona.

“Për këtë do të ishte e nevojshme një hetim parlamentar. Është irracionale që me para publike të blihen asetet private”, tha ai.

Edhe Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se investimi i parave publike në një ndërmarrje të cilën tanimë e kanë privatizuar është skandali i radhës i kësaj qeverie dhe këtyre qeveritarëve.

“Tanimë është edhe më evidente se pse procesi i privatizimit të KEDS ka qenë dhe vazhdon të jetë proces i kontestueshëm. Këta qeveritarë nuk janë të interesuar në ndërtimin e mirëqenies së qytetarit, por janë të interesuar në taksat e tyre, sepse me këto taksa këta qeveritarë po financojnë skemat e tyre klienteliste dhe nepotiste duke i fshehur këto prapa privatizimeve jotransparente që kanë shpronësuar qytetarin dhe pasuruar pushtetarët”, tha ai.

Sipas tij, pas 13 viteve privatizimi, të vetmit që përfundojnë më të pasur dhe me mirëqenie të ngritur janë pushtetarët. Sejdiu thotë se tash këta qeveritarë të pasuruar po shkojnë tutje dhe me anë të taksave përsëri po bëjnë favore për korporatat e tyre të preferuara, duke bërë investime në orë digjitale me para të qytetarëve gjë që kanë mundur ta bëjnë edhe më parë dhe kështu të reduktojnë humbjet e të ngrenë vlerën e ndërmarrjes.

“Këto ndryshime po bëhen tani, në mënyrë që privatizuesi të gjejë situatë edhe më të favorshme. Përsëri paratë e qytetarëve dhe taksat e tyre nuk përdoren për ngritjen e shërbimeve apo mirëqenies, por për financimin e skemave të tyrë që janë në shërbim kryekëput klienteliste”, tha ai.

/Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)