KEK vazhdon me eliminimin e materieve të rrezikshme
Prishtinë, 12 shtator - Përkundër angazhimeve rreth sanimit të pasojave të aksidentit të datës 6 qershor 2014, drejt stabilizimit të prodhimit para sezonit të dimrit, Korporata ka vazhduar me zbatimin e objektivit që ka rreth përmirësimit të mjedisit ku operon.
KEK ka trashëguar një situatë të vështirë sa i përket ambientit, për shkak të degradimeve të bëra nga e kaluara, por me investimet e deritashme është treguar një përkushtim i madh për t\'u mundësuar banorëve një mjedis me të pastër dhe më të shëndetshëm për jetë. Në këtë vije, jemi dëshmitar të përfundimit te suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro kryesisht nga mjetet vetanake.
Në fillim të kësaj jave ka filluar edhe ri paketimi dhe përgatitja për transport e një sasie prej rreth 2 mijë e 500 ton shtesë materiesh të rrezikshme që do të eksportohen jashtë vendit për trajtim adekuat, ka njoftuar KEK.
Po ashtu bëhet e ditur se kjo sasi është pjesë e vazhdimit të projektit,që me financimin shtesë nga Banka Botërore dhe Mbretëria Holandeze, të trajtimit të materieve të rrezikshme të cilat janë identifikuar në stabilimente që nuk ishin në fushëveprimin fillestar të projektit si dhe largimi përfundimtar jashtë vendit i depozitave të cilat janë trajtuar dhe paketuar me parë. KEK tashmë ka implementuar projektin për asgjësimin e rrezikut nga mbi 20 mijë m3 materie te rrezikshme që gjendeshin në ish-Gazifikim.
Me këtë rast janë trajtuar tashme materie kimike (ujëra fenolike, benzol, fenol të koncentruar, lym katrani, vajra te kontaminuar, etj) prej rreth 18.000 m3 dhe diku rreth 2000 m3 katran, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
Prej kësaj, rreth 14.000 t janë trajtuar në zonën e Gazifikimit, ndërsa pjesa tjetër eksportohet jashtë Republikës së Kosovës për trajtim adekuat.
Me përfundimin e këtyre projekteve Korporata synon eliminimin e ndotjes së grumbulluar përgjatë dekadave të punës,ti kthej natyrës zonat e degraduara gjatë eksploatimit shekullor dhe të vazhdojë të operojë shumë më pastër, thuhet në komunikatën e KEK-ut.