KEK-u përshëndetet me konsumatorët
Prishtinë, 8 prill - Inkasantët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), këtë muaj janë ngarkuar me një punë shtesë gjatë shpërndarjes se faturave. Ata janë obliguar që ti njoftojnë konsumatorët përmes një letre se ky do të jetë muaji i fundit i operimit të kësaj korporate.
Në letrën e KEK-ut dërguar konsumatorëve sqarohet se blerësi i ri Distribucionit të KEK-ut, Limak & Çalik do të jetë përgjegjës për veprimtarinë që ka kryer deri më tash korporata.
Në pajtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të privatizuar operimet e Furnizimit Publik dhe rrjetit të Shpërndarjes (Distribucionit) së KEK-ut, që nga data 3 Maj 2013 Furnizuesi juaj i energjisë elektrike do të jetë kompania e re e quajtur Kompania Kosovare për Furnizim dhe Distribuim me Energji Elektrike (KKDFE), thuhet në këtë letër, shkruan Tribuna.
Gjithashtu shkruan se Zyra e Rregullatorit të energjisë po i transferon licencat për Rrjet dhe Furnizim në KKDFE.
Megjithatë ky tranzicion nuk do të rezultojë në asnjë ndryshim material sa i përket faturimit, pagesës, borxhit ose praktikave për shërbim të konsumatorëve. Arkat mbeten të hapura dhe nëse ju i bëni pagesat nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm bankar dhe numrat e llogarive mbetën të njëjtë, thuhet në letrën e KEK-ut, dërguar konsumatorëve. Aty thuhet se ky ndryshim ka për qëllim të rezultojë në operim me efikas të sektorit të energjisë elektrike si dhe të shpie para ekonominë e Kosovës.