KEK-u ndan 100 mijë euro si ndihmë Shqipërisë
Prishtinë, 27 nëntor - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndarë 100 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas tragjedisë që ndodhi ditën e martë si pasojë e tërmeteve.
Me kërkesë të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi dhe me aprovim të Bordit të Drejtorëve, kjo shumë është dedikuar për të ndihmuar familjet që pësuan nga kjo tragjedi.
Korporata Energjetikë e Kosovë të martën gjithashtu ka dërguar edhe ekipin e specializuar për intervenime emergjente (kërkim-shpëtim) të cilët po i dalin në ndihmë autoriteteve shqiptarë për nxjerrjen e viktimave nga gërmadhat e krijuara pas tërmetit.
Drejtori Menaxhues i KEK, Njazi Thaçi ka thënë së kjo është me e pakta që mund të bëjmë si korporatë për t’u solidarizuar dhe për të ofruar përkrahjen për qytetarët që pësuan nga kjo tragjedi.
“Nga mëngjesi i ditës së martë jemi duke i përcjellë me shqetësime ngjarjet në Shqipëri. Ndjejmë keqardhje dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për viktimat”, ka thënë Thaçi.
Ai ka bërë të ditur së vendimi për të ndarë 100 mijë euro është marrë më përkrahjen e gjithë menaxhmentit dhe të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut.