KEK-u investon në sigurinë e njësive prodhuese
Prishtinë, 31 mars - Menaxhmenti dhe punëtorët e Termocentralit Kosova B janë angazhuar gjatë muajit mars që të përfundojnë me suksese revizionet në dy njësitë prodhuese.
“Termocentrali Kosova B edhe pavarësishtë situatës së rëndë pandemike, është duke operuar me kapacitete të plota prodhuese. Sipas bilancit elektro-energjetik të këtij viti, ne kemi paraparë ti kemi dy revizione në Muajin mars dhe dy remonte gjatë sezonës së verës.''
''Gjatë muajit mars ne veç i kemi përfunduar dy revizione në njësinë B1 dhe B2. Këto dy revizione kanë qenë 10 ditore dhe me këtë ne e kemi rritur sigurinë e njësive operuese që të operojnë me një siguri më të lartë deri në sezonën e verës”, ka thënë Jonuz Saraçi, u.d. i drejtorit ekzekutiv të TC Kosova B.
Ai ka bërë të ditur se me qëllim të ruajtjes së sigurisë së funksionimit të njësive të prodhimit të energjisë elektrike remontet do të vazhdojnë edhe gjatë verës.
“Gjatë sezonës së verës do t’i kemi remontet më të gjata ku njësitë do t’i nënshtrohen riparimeve më të mëdha dhe me këtë ne i përgatisim njësitë që të operojnë sigurt gjatë sezonës së dimrit”, ka deklaruar Saraçi.
Pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia, Korporata Energjetike e Kosovës është angazhuar që të gjitha njësitë prodhuese të funksionojnë normalisht, duke mundësuar që të realizohet në përpikëri plani i prodhimit të energjisë.