KEK: Ska rrezik për shpërthime tjera
Prishtinë, 6 qershor - KEK-u ka njoftuar se pas veprimeve të ndërmarra në vendin e ngjarjes situata është nën kontroll dhe aktualisht nuk ka rrezik. KEK-u ka konfirmuar se nga ky shpërthim, janë lënduar disa punëtorë, por ska dhënë informacion për ndonjë punëtor të vdekur.
Sot rreth orës 10:00 ka ndodhur një shpërthim në Repartin e Elektrolizës të Termocentralit Kosova A. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, ekipet mbikëqyrëse të KEK-ut kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që informacioni është shpërndarë në të gjitha institucionet relevante në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore ato të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave nga niveli qendror, komunal dhe ekipet mjekësore të qendrave të mjekësisë familjare dhe ato të QKUK-së, është thënë në njoftimin e KEK-ut, në ët cilin është shtuar:
Në vendin e ngjarjes të gjitha njësitë bashkërisht me shpejtësi kanë filluar evakuimin e personelit që në atë moment gjendej duke punuar në atë repart si dhe në repartet e tjera, në ndërkohë që kanë bërë edhe sigurimin e perimetrit të zonës ku ka ndodhur shpërthimi, është thënë në komunikatën e KEK-ut.
KEK-u, ka bërë me dije se të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrat më të afërta mjekësore dhe në QKUK dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Aktualisht është bërë evakuimi i personelit nga të gjitha repartet e Bllokut A, ka njoftuar KEK-u.