22 Dhjetor 2024

KEK s'ka arritur t’i përdorë fondet në mënyrën më ekonomike dhe efikase

Prishtinë, 13 maj - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

Ky auditim përfshin periudhën 2018-2020 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse gjatë këtyre viteve, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit (efektiviteti) dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme (efikasiteti).

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte arritur që t’i përdorë fondet publike në mënyrë ekonomike dhe efikase, kishte mungesë të transparencës si dhe kufizim të konkurrencës. E gjitha kjo ka bërë që disa nga objektivat e përcaktuara përmes prokurimit publik të mos arrihen.
Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit e që nuk ka siguruar transparencë në prokurim.

Kontratat e negociuara kishin rezultuar me çmime më të larta se sa kontratat paraprake apo pasuese të lidhura me tender të hapur.

Kjo përveç që e kishte bërë Korporatën Energjetike të Kosovës jo efikase në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit e kishte bërë edhe jo ekonomike në këto kontrata.

Gjithsej shpenzimi shtesë që kishte rezultuar nga prokurimet e negociuara ishte afër 739 mijë euro, 472 mijë euro për njërin tender (shërbimi i transportit) dhe afër 267 mijë euro për tenderin tjetër (sigurimi fizik i objekteve).

Njësitë kërkuese dhe zyra e prokurimit nuk kishin identifikuar si duhet nevojat për promovim të KEK-ut në media, dhe nuk kishin bërë analizë të tregut e që kishte rezultuar me objektiva të paqarta dhe të pamatshme të prokurimit.

Për pasojë ishin lidhur, vit pas viti, kontrata efekti i të cilave ishte i panjohur në drejtim të realizimit të objektivave.  

Nga gjithsej 377,140 euro që ishin shpenzuar për promovim në media gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte arritur vetëm 59,113 euro kthim përmes qendrës së trajnimeve profesionale. Pra vetëm 15% të shumës së shpenzuar kishte arritur të shndërronte në të hyra, ndërsa për objektiven tjetër nuk kishte matur efektin.

Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte siguruar kombinim optimal të burimeve në dispozicion për të përmbushur objektivat e përcaktuara.

Mos grumbullimi i nevojave për blerje të kushinetave kishte rezultuar numër të madh të aktiviteteve të prokurimit. Gjithsej 34 aktivitete të prokurimit ishin zhvilluar gjatë viteve 2018-2020 vetëm për këto blerje.

Menaxherët e projekteve/kontratave të prokurimit nuk kishin menaxhuar aktivisht kontratat me të cilat ishin ngarkuar.

Për shkak të mungesës së iniciativës nga ana e menaxherëve të kontratave Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte siguruar kombinim optimal të burimeve në dispozicion për të përmbushur objektivat e përcaktuara.

Shkaqet që kishin çuar në këtë gjendje ishin mos përcjellja aktive e zbatimit të kontratës, mos azhurnimi i datave të dakorduara me kohë dhe mos aplikimi i gjobave për vonesa. Njësitë kërkuese kishin hasur në vështirësi në punë për shkak të vonesave në zbatim të kontratave.

Mungesa e analizave lidhur me përfitimet dhe kostot që rrjedhin nga aktivitetet e  prokurimit/kontratat e zbatuara, ka bërë që Korporata Energjetike e Kosovës të vazhdojë me aktivitete të prokurimit që nuk i kishin kontribuar arritjes së objektives.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e transparencës  dhe kufizimin e konkurrencës për disa aktivitete të prokurimit dhe mangësitë në menaxhim të kontratave në KEK e që në disa raste kanë shkaktuar kosto shtesë, andaj kërkohen veprime të menjëhershme nga njësitë përgjegjëse brenda KEK-ut për adresimin e rekomandimeve të dhëna.


Me qëllim të përmirësimit të proceseve të prokurimit, janë dhënë tetë rekomandime për Bordin e Drejtorëve dhe Menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovës.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)