KEK, Procesi i privatizimit te distribucionit sipas agjendës
Prishtinë, 10 gusht - Procesi për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, është duke shkuar sipas agjendës së paraparë. Kjo është vlerësuar në mbledhjen e fundit të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), të mbajtur të martën me 9 gusht.
Në këtë mbledhje ministrat anëtarë të KQP unanimisht janë pajtuar dhe e kanë proceduar draft dokumentin, Kërkesë për Propozime (KpP), i cili do ti dorëzohet kompanive të para-kualifikuara për komente para se të aprovohet përfundimisht nga KQP.
Dokumenti në fjalë parasheh udhëzimet për ofertim për Investitorët, që përfshihen kërkesat, konditat, kriteret e përzgjedhjes dhe dokumentacionin e ofertimit.
Pastaj marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve (MSA) që përfshihen shitja e biznesit të Distribucionit dhe Furnizimit (KEDS), kushtet për marrjen e licencave, dhe hapat që duhet ndërmarrë para përmbylljes së transaksionit.
Dhe marrëveshja e Blerjes së Energjisë me Shumicë (MBES) që parasheh blerjen e energjisë me shumicë nga kompania e ardhshme private (KEDS) prej gjeneruesve publik, termocentralet A dhe B.
Kompanitë e parakualifikuara, Elsewedy, Çalik, Limak dhe TAIB Bank, janë duke i marrë këto dokumente dhe të dhënat nga sektori i Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, nëpërmes Dhomës së të Dhënave (Dataroom).
Në bazë të këtyre të dhënave këto kompani janë duke i zhvilluar studimet e tyre të nevojshme, mbi gjendjen e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK dhe duke shkuar nëpër procesion që quhet Due Dilligence.
Pas, procedimit nga KQP kompanitë e para-kualifikuara i kanë pranuar edhe dokumentet edhe udhëzimet për ofertim për ti analizuar dhe komentuar, dhe në këtë mënyrë kompanitë e parakualifikuara krijojnë një bazë esenciale informative, dhe një ide më të qartë, që do të ju ndihmojë në përgatitjen më të detajshme dhe më cilësore të ofertave të tyre për blerje të KEDS.
Vlen të theksohet se të gjitha dokumentet që ju dërgohen investitorëve për komentim dhe KQPsë për aprovim, përshkojnë një proces të debatit publik, në Grupin Qeveritar për Projekte të Energjisë (GQPE).
Ky grup i deleguar nga KQP, përbëhet nga përfaqësues kompetent nga KEK, KOSTT, Zyra e Rregullatorit Energjetik (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Njësia për Partneritet Publiko-Privat (PPP) dhe përfaqësues nga Ministritë që përbëjnë Komitetin Qeveritar të Privatizimit.
Komentet dhe vërejtjet e këtyre përfaqësuesve janë marrë parasysh dhe përfundimisht janë inkorporuar në dokumentet që ju është dërguar KQPsë për aprovim.
Gjithashtu e ritheksojmë se procesi për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, është duke shkuar sipas agjendës së paraparë dhe pritet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.