KEK investon 1 milion euro në Trafostacionin Prishtina 2
Prishtinë, 26 prill - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se në Trafostacionin TS 110/10 kV Prishtina 2 janë duke u zhvilluar punimet rreth vendosjes së transformatorit të ri me kapacitet 63 MVA (megavolt amper).
Nga ky TS KEK ka hequr një transformator me fuqi 31.5 MVA i cili është dërguar në Skenderaj, ndërsa në vend të tij është duke u montuar transformatori me kapacitet 63 MVA. Punimet priten të përfundojnë të martën, me 2.prill.
Ky investim kap vlerën prej mbi 1 milion euro dhe po bëhet për furnizim më stabil dhe më kualitativ me energji elektrike.
Gjatë kohës së ndërrimit të këtij transformatori në orët e mbrëmjes ka patur reduktime disaminutëshe në pjesët që mbulohen nga ky trafostacion, që kanë ardhur për shkak se deri në kryerjen e punëve ky TS tani është duke punuar vetëm me një transformator, e jo si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.
Me montimin e transformatorit të ri do të rritet kapaciteti i këtij TS si dhe do të eliminohet fyti i ngushtë që paraqitej në këtë TS.