KEK dhe PTK zgjerojnë bashkëpunimin
Prishtinë, 17 maj - Korporata Energjetik e Kosovës dhe Posta dhe Telekomi i Kosovës kanë ripërtërirë të hënën marrëveshjen për kabllim, e cila do të jetë më afat më të gjatë dhe parasheh zgjerimin e bashkëpunimit.
Esenca e marrëveshjes ka të bëjë me shfrytëzimin e Rrjetit Energjetik të KEK-ut nga ana e PTK-së, sikurse mund të shtrihen kabllot e PTk-së edhe në vendet ku nuk janë të vendosura pas kërkesës bërë në KEK.
Përderisa marrëveshja e parë ishte 1+1 vjet, tash është 2+2 vjet.
Marrëveshja është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha dhe Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj.
Shfrytëzimi i Rrjetit Energjetik na kursen para dhe kohë në zgjerimin e shërbimeve tona. Partneriteti PTK-KEK do të vazhdojë edhe në të ardhmen me synim të zgjerimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit, tha Dr. Haxha.
Marrëveshja është ripërtërirë dhe zgjeruar në një periudhë të rëndësishme për dy kompanitë më të mëdha të vendit.
KEK-u dhe PTK janë në prag të privatizimit. Komercializimi i aseteve dhe lidhja e marrëveshjeve që lehtësojnë afarizmin dhe e bëjnë atë më të lirë nënkupton direkt rritje të vlerës për të dy korporatat. Ky është edhe misioni ynë duke analizuar periudhën në të cilën ndodhemi, tha Gjukaj.
KEK dhe PTK kanë marrëveshje edhe për investime të përbashkëta në infrastrukturë për investimet e reja dhe për çështjet që i ndërlidhin dy kompanitë.
Udheheqësit e dy korporatave janë dakorduar që të zgjerojnë edhe më tutje bashkëpunimin në të ardhmen me qëllimin e vetëm rritjen e vlerës së dyanshme, prej nga përfituesit më të mëdhenj do të ishin qytetarët e Kosovës, duke përfituar shërbime më të mira, sikurse edhe nga aspekti ekonomik, pasi KEK dhe PTK përbëjnë pjesën më të madhe të pasurive publike të vendit.