KEK arrin prodhim rekord të energjisë elektrike
Prishtinë, 12 prill - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se gjatë viti 2012 KEK ka arritur rekord historik të prodhimit të energjisë elektrike duke u krahasuar me periudhën që nga lëshimi i termocentraleve në punë.
Edhe pse termocentrali Kosova A ka kaluar mbi 50 vjet që nga fillimi i bllokut te pare në punë, ndërsa termocentrali Kosova B sivjet mbushë 30 vjet nga fillimi i operimeve, kjo nuk i ka ndalur punëtorët e korporatës që të arrijnë këtë rekord prodhimi.
Në vitin 2012 në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 5.85 milionë megavatë/orë energji elektrike, apo rreth 200 mijë megavatë/orë më tepër se në vitin 1988 kur ishte arritur prodhimi më i madh para luftë, kur blloqet e TC Kosova B ishin 4, përkatësisht 5 vjet të vjetra.
Këto rezultate më bëjnë të ndihem krenar. Kjo është arritur falë investimeve të duhura dhe falë angazhimit të pashoq të punëtorëve në tërë hallkat e prodhimit, duke filluar nga prodhimi i qymyrit e deri tek termocentralet. Falënderimi u shkon atyre, thotë Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut.
Këto rezultate janë arritur edhe nga fakti se rekord prodhimi është shënuar edhe në termocentralin Kosova B, ku janë prodhuar në gjenerator 3.74 milionë megavatë/orë.
Pavarësisht vjetërsimit të blloqeve ne i jemi përveshur punës dhe e kemi kryer misionin tonë. Asnjë punëtor nuk ka kursyer asgjë nga vetja e tij. Jemi mobilizuar deri në atomin e fundit që popullata të ketë energji në dispozicion, thotë Luigj Ymeri, menaxher i TC Kosova B.
Prodhimi rekord i energjisë elektrike është arritur pavarësisht faktit se dy blloqet e TC Kosova A, përkatësisht A3 dhe A5 kanë qenë nga 4 muaj jashtë pune secila për shkak të ndërrimit të elektro-filtrave.
Per me teper, tash këto blloqe kanë emision te grimcave te pluhurt në ambient brenda standardeve të lejuara ligjore, per here te pare qe nga fillimi punës se tyre..
Krahas rekordit të prodhimit është rritur edhe efiçenca, pasi termocentralet kanë prodhuar më shumë energji elektrike me më pak qymyr, duke bërë që ndotja nga CO2 të jetë edhe më e vogël.
Ndikim ka patur edhe stabilizimi i furnizimit me qymyr, ku termocentralet kanë rezerva të vazhdueshme të kësaj lënde për javë të tëra. Asnjëherë rezervat nuk kanë rënë nën 500 mijë tonë.
Prodhimi rekord i energjisë elektrike ka bërë që furnizimi me energji elektrike të jetë stabil dhe më i miri që nga paslufta. Kategorizimi ABC nuk është vënë në funksion thuajse fare gjatë gjithë vitit.
Situatë e ngjashme ekziston edhe në tremujorin e parë të këtij viti, madje e përmirësuar. Tashme qytetarët e vendit pos faktit se nuk stresohen më nga rënia e blloqeve, kanë edhe furnizim pa ndërprerë me energji elektrike.