25 Dhjetor 2024

KEDS vazhdoi investimet në Prishtinën e Re

Prishtinë, 12 shkurt - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se ka vazhduar me investimet në Rrjetin e Shpërndarjes.

Tashmë sipas KEDS janë lëshuar në punë edhe dy dalje 10 kV (kilovolt) në nënstacionin Prishtina 7, që bëjnë distribuimin e energjisë elektrike për pjesën jugore të kryeqytetit, të njohur si Prishtina e Re.  Nga ky projekt kanë përfituar rreth 1200 konsumatorë të lagjes Veterniku të Prishtinës.

“KEDS është kompani e përkushtuar të qëndrojë sa më afër konsumatorit dhe t’i ofrojë shërbime sa më kualitative. Ky investim e dëshmon në vepër këtë. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë tutje me investime”, tha z. Vedi Yesilkilc, Drejtor i Përgjithshëm i KEDS-it.

Gjatë lëshimit të këtyre dy daljeve konsumatorët përfitues nuk kanë pasur energji elektrike rreth 6 orë. KEDS u kërkon ndjesë dhe u bën të ditur se e ka bërë këtë në pamundësi të ndonjë alternative dhe me qëllimin më të mirë për përfitime afatgjata për ta.

Plotësimi me këto dalje është pjesë e projektit madhor të punimit të Daljeve të Tensionit të Mesëm nga nënstacioni modern 110/10(20) kV Prishtina 7. KEDS në këtë projekt deri tash ka investuar 1,2 milionë euro.

Nga funksionalizimi i plotë i këtij nënstacioni përfitues direkt janë konsumatorët e lagjeve Veterniku, Lagjja e Spitalit, Mati I, Hajvalia dhe Çagllavica. Përfitues janë edhe miniera e Kishnicës dhe asetet e ndërmarrjes për furnizim me ujë “Prishtina”.

Një dalje e veçantë është ndarë edhe për Qendrën Klinike Universitare, e cila do të rritë sigurinë e furnizimit në rast të prishjeve edhe pse ekziston një dalje rezervë, tashmë do të jenë dy të tilla.

“Investimet janë shtrirë në këtë pjesë të kryeqytetit sepse kemi numrin më të madh të ndërtimeve në vitet e fundit dhe shtimin më të madh të banorëve. Si pasojë e kësaj duhet bërë edhe shtrirja e Rrjetit të Shpërndarjes në mënyrë që konsumatorëve t’u garantohen shërbime kualitative dhe KEDS po e bën një gjë të tillë”, tha z. Avni Alidemaj, Drejtor i Rrjetit të Shpërndarjes në KEDS.

Ndërtimi i këtij nënstacioni do të lirojë nga mbingarkesa edhe asetet tjera sidomos ato në TS 110/10 kV Prishtina 2, TS 35/10 kV Prishtina II, Prishtina III dhe Badovci. Pra, përfitimi është i shumanshëm dhe nënkupton shërbime më kualitative për më tepër se 100 mijë qytetarë dhe biznese.

Projekti parashihet të përfundojë në fund të muajit mars 2014. Ky është pjesë e investimeve të parashikuara nga kompania në shumën prej 110 milionë euro në 5 vitet e ardhshme dhe një shumë prej më shumë se 300 milionë euro në periudhën 15- vjeçare.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)