KEDS nuk ka fryrë asnjë faturë të energjisë
Prishtinë, 10 janar - KEDS sqaron për Këshillin për Mbrojtjen dhe të Drejtat Njerëzore- KMDLNJ se nuk ka fryrë asnjë faturë të energjisë elektrike, por ka vepruar në bazë të Ligjeve dhe Rregulloreve në fuqi.
Pra, konsumatorët janë faturuar aq sa kanë harxhuar dhe llogaritja është bërë në bazë të tarifave në fuqi, të miratuara nga ZRRE të cilat KEDS është i obliguar ti zbatojë pikë për pikë.
KEDS asnjëherë nuk ka përjashtuar se mund të ketë ndonjë rast individual ku mund të jetë bërë ndonjë gabim në lexim.
Por, për këtë ka krijuar edhe Task Forcën në mënyrë që secila ankesë e secilit konsumatorë të shqyrtohet me seriozitetin më të lartë dhe të zgjidhet në kohën më të shkurtër të mundshme. KEDS zotohet se secili konsumator do të paguajë vetëm aq sa ka shpenzuar. Gabimet në lexim apo faturim janë njerëzore dhe mund të ndodhin, sikurse ndodhin në çdo kompani simotër në rajon dhe më gjerë, edhe pse KEDS-i ka dyfish më pak gabime se kompanitë rajonale.
KEDS i korrigjon ato me kohë dhe nuk ndëshkohet asnjë konsumatorë. KEDS të njëjtën kohë siguron se nuk do të tolerohet asnjë gabim i qëllimshëm ndaj qytetarëve.
KEDS nuk e shkyçë asnjë konsumator për pjesën e faturuara të shumës që ka ngritur kontest, deri në zgjidhjen e atij kontesti. Prandaj, nuk mund të pajtohet assesi me gjuhën dhe akuzat e paargumentuara të përdorura nga KMDLNJ.
KEDS sqaron se nuk po e favorizon asnjë konsumator, siç konstaton KMDLNJ duke e cekur Ferronikelin, por i faturon edhe ata në bazë të tarifave në fuqi për konsumatorët industrialë në këtë rast, dhe sërish tarifat i miraton ZRrE dhe KEDS i zbaton në përpikëri sepse e ka edhe obligim ligjor.
KEDS fton KMDLNJ-në dhe secilën palë të interesuar që të vijnë në zyret e kompanisë dhe zotohet se do tua sqarojë në detaje secilën brengë që ata kanë. KEDS mbetet e përkushtuar ndaj konsumatorëve, sikurse e hapur ndaj shoqërisë civile ndaj të cilave apelon për bashkëpunim që do të sillte beneficione për qytetarët e Kosovës.