KEDS ndërroi 54 transformatorë
Prishtinë, 9 shtator - Vetëm gjatë korrikut dhe gushtit, në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve të rrjetit, KEDS ka bërë ndërrimin e 368 shtyllave të tensionit të ulët dhe të mesëm dhe 54 transformatorëve të mbingarkuar
Me qëllim që konsumatorët të kenë shërbime sa më kualitative dhe të kemi një rrjet sa më të përballueshëm ndaj kushteve atmosferike, KEDS ka intensifikuar planet investuese si dhe ka shtuar aktivitetet në mirëmbajtjen e rrjetit.
Në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve të rrjetit, vetëm gjatë dy muajve të verës, përkatësisht korrikut dhe gushtit. KEDS ka bërë ndërrimin e 368 shtyllave të tensionit të ulët (TU) dhe të mesëm (TM) dhe 54 transformatorëve të mbingarkuar. Përveç ndërrimit të pajisjeve të lartpërmendura KEDS ka bërë edhe rregullime të tokëzimit të TS 10/0.4 kV, zëvendësimin dhe montimin e kabllove të reja nëntokësore (2862 metra) dhe montimin dhe zëvendësimin e 4506 metrave të kabllove ajrore.
Është edhe një numër i konsiderueshëm i pajisjeve tjera të zëvendësuara dhe e njëjta vazhdon edhe në ditët e sotme. KEDS ka riparuar 5 objekte, sikurse ka pastruar rreth 313 km trase të linjave të TU dhe TM, të cilat shpesh shkaktonin prishje duke lënë konsumatorët pa tension.
Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë të rrjetit të trashëguar, aktivitetet e shtrira në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së energjisë, përmirësimin dhe mirëmbajtjen e përgjithshme të rrjetit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike dhe përfundimisht minimizimin e problemeve dhe avarive të mundshme në rrjet, thotë Avni Alidemaj, Drejtori i Sistemit për Operim dhe Mirëmbajtje.
Tani më rezultatet mund të shihen. Falë aktiviteteve të shtuara të mirëmbajtjes dhe intensifikimit të planit të investimeve, numri i prishjeve të mundshme është zvogëluar dhe shumë vendbanime furnizohen me rrymë të qëndrueshme dhe kualitative, duke ofruar kushte më të mira për jetesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, shton Alidemaj.
Përveç tjerash është bërë ndërrimi i përçueseve në TM dhe TU, riparim i ormanëve në TU, pastrimi i trasesë të linjave të TU dhe TM, ndërrimi i izolatorëve, etj.
KEDS në vazhdimësi investon në ngritjen e sigurisë në pajisje, aktivitete këto që reflektojnë edhe në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mos lejuar kontakt me pajisje të rrezikut të lartë dhe duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikë së Kosovës, e në veçanti për fëmijët.
Krahas implementimit të planit të mirëmbajtjes, KEDS vazhdon me implementimin e planit të investimeve me intensitet të shtuar. Me aktivitete të tilla, KEDS është duke u përkushtuar maksimalisht që të rrisë cilësinë e shërbimeve për qytetarë. Në disa nga pajisjet nuk është intervenuar që nga koha e instalimit të tyre, shumë vite më parë.