KEDS lëshoi në punë tre largpërçues të rinj
Prishtinë, 17 korrik - Nga lëshimi në punë i tre largpërçuesve do të përfitojnë direkt mijëra konsumatorë të tre distrikteve të KEDS-it. Investimi total është afro 1.7 milionë euro, ndërsa gjatësia e përgjithshme e tre largpërçuesve arrin mbi 25 km. Pos rritjes së kualitetit të shërbimeve, largpërçuesit e rinj kanë ulur ndejshëm edhe humbjet në rrjet.
Komorani i Drenasit me fshatrat përreth tashmë kanë energji elektrike shumë më kualitative. Njëjtë ka ndodhur edhe në Mamushë me lokalitetet që e përbëjnë atë, sikurse edhe në Gërmovë të Vitisë dhe vendbanimet përcjellëse. E gjithë kjo është arritur pasi që KEDS ka lëshuar në punë gjatë qershorit tre largpërçues në këto tre lokacione, duke e rritur ndjeshëm kualitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike për mijëra konsumatorë.
Kjo është arritur falë investimeve prej afro 1.7 milionë eurosh. Totali i tre largpërçuesve të ndërtuar në Mamushë, Komoran dhe Gërmovë, kap një gjatësi prej mbi 25 kilometra. Pjesa më e madhe, përkatësisht 15.5 km në total është rrjet nëntokësor.
Lëshimi në punë i këtyre largpërçuesve ka rritur sigurinë e furnizimit dhe kualitetin e shërbimeve, sikurse ka ulur në minimum humbjet teknike, të cilat ishin mjaft të larta në këto lokalitete, thotë Leonora Hysenaj, Menaxhere e Departamentit për Implementim të Projekteve në KEDS. Ky departament ka mbikëqyrur dhe kontrolluar implementimin e punimeve në detaje në të gjithë këta largpërçues (LP).
Largpërçuesi i Komoranit kap një gjatësi prej 12.5 kilometra dhe është tërësisht nëntokësor ku 6 km është implementuar linja kabllovike e trefishtë . Nga ky LP kanë përfituar direkt disa fshatra të Drenasit, duke përfshirë edhe Komoranin, në një linjë që shkon nga Parku i Biznesit deri në fshatin Arllat.
Tensioni në këto fshatra ka qenë i ulët, ndërsa ngarkesat e mëdha. Tashmë ky problem është evituar, thotë Fitim Prokshi, koordinator i rrjetit në nëndistriktin e Drenasit. Investimet totale në këtë LP kapin shifrën prej afro 1.15 milionë eurosh.
LP i ri i Mamushës ka zgjidhur problemin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e kësaj ane, prej të cilëve 1.300 konsumatorë do të kalojnë në daljen e re. Me këtë shkarkohet edhe dalja e vjetër ku do të mbesin rreth 700 konsumatorë. LP i ri ka një gjatësi prej 6.55 kilometrash, prej të cilave 0.5 km janë kabllovike. Konkretisht, lokacionet që do të përfitojnë nga ky projekt janë Mamusha, Serbica e Ulët, Medvec , Zojzi, Leshani, Tërrnja dhe Nepërbishti. Kostoja e këtij projekti është 250 mijë euro.
Nga ndërtimi i LP të ri 10(20) kV do të zvogëlohen humbjet teknike dhe do të ofrohet kualitet më i mirë i tensionit për konsumatorët. Furnizimi do të ndahet në dy dalje dhe kjo do të sigurojë zvogëlimin e ngarkesës për daljen ekzistuese, thotë Sherif Sallahaj, koordinator i nëndistriktit në Prizren. Ai shpjegon se nga ndarja e ngarkesës edhe furnizimi me energji do të jetë më i sigurt.
Ndërsa, nga LP i Gërmovës përfitojnë disa fshatra të Vitisë, specifikisht: Kabashi, Drobeshi, Gërmova, Gushica, Sodovina e Jerlive dhe Vërbani. Ky LP është me gjatësi afro 6 kilometra, prej të cilave afro 2.5 km janë me shtrirje nëntokësore. Kostoja e projektit është afro 335 mijë euro.
Humbjet teknike kanë qenë të larta në këtë pjesë si pasojë e rrjetit të vjetruar. Tashmë ato në bazë të matjeve fillestare kanë rënë në më pak se 7 për qind, thekson Naim Arapi, koordinator i nëndistriktit për rrjet në Viti. Konsumatorët kanë përfituar shumë dhe janë shumë të kënaqur, shton Arapi.
Lëshimi në punë i këtyre largpërçuesve është pjesë e investimeve të KEDS-it të bëra sivjet në të gjitha distriktet e kompanisë, anekënd vendit. KEDS ka lëshuar në punë deri tash pesë LP të rinj, ndërsa ka në finalizim edhe dy të tjerë duke kompletuar projektin e sivjetshëm nga një LP për secilin distrikt.
Kjo punë madhore është pjesë e zotimit të KEDS-it për investime të parashikuara nga kompania në shumën prej 110 milionë euro në pesë vitet e ardhshme dhe një shumë prej më shumë se 300 milionë euro në periudhën 15- vjeçare, investime tanimë të intensifikuara gjatë vitit të parë të funksionimit të KEDS.