KEDS kërkon zgjidhje për import të shtuar
Prishtinë, 7 gusht - Pas aksidentit në termocentralin Kosova A në Qershor 2014, jemi ballafaquar me mungesë të konsiderueshme të paparashikuar të prodhimit të energjisë në Kosovë. Mungesa e prodhimit për 7 muajt e fundit të vitit 2014 vlerësohet të jetë përafërsisht 450 GWh ose 25% e prodhimit të 2,950 GWh dhe paraqet rrezik të rëndësishëm të furnizimit në vend për shkak të mungesës së rezervave të gatshme vendore.
Kjo sasi përfaqëson 12 % të konsumit të vendit në baza vjetore dhe duhet të zëvendësohet dhe përmbushet me importim të paparaparë përmes bilancit të energjisë dhe rrjedhimisht të pa-aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë përmes tarifave. Sasitë e aprovuara të importimit nga ZRrE sillen rreth 450 GWh deri sa pritjet për importim pas aksidentit për të mbuluar mungesën e prodhimit në pjesën e dytë të vitit janë përafërsisht 850 GWh dhe pritet të jenë në vlerë prej 20 25 milionë euro vetëm për vitin 2014.
Pas aksidentit në termocentralin Kosova A KEDS ka absorbuar të gjitha kostot për importim shtesë dhe kjo situatë vlerësohet të mos jetë e qëndrueshme.
Me fjalë tjera, sasia e prodhimit është zvogëluar deri sa sasia e importit është rritur në shpejtësi me qëllim të plotësimit të kërkesës, duke bërë që KEDS të importojë më shumë energji elektrike në periudhë më të hershme të vitit dhe duke kërkuar ngritje të përgjithshme të importit, të paparaparë nga Sektori i energjisë.
Problemi është mjaft serioz dhe kompleks. Për momentin të gjithë operatorët, institucionet dhe palët e treta janë duke koordinuar përpjekjet për të zgjidhur situatën e krijuar në afatin më të shkurtë kohor në mënyrë që ndikimi për konsumatorë të jetë minimal.
KEDS dhe palët e interesit i janë përgjigjur krizës në mënyrë proaktive. Kemi bashkëpunuar me të gjithë partnerët dhe institucionet në sektorin e energjisë me qëllim që mungesa e prodhimit të mos ketë ndikim dhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për të tejkaluar krizën e fundit energjetike në Kosovë. Luteni të keni parasysh që informatat dhe vlerat e lartshënuara për tejkalim të krizës janë të bazuara në skenarin më optimist për tejkalim të krizës energjetike duke supozuar që KEK do të kthejë njësitë gjeneruese në Kosova A në fund të dhjetorit të vitit 2014.
Me qëllim të sigurimit të furnizimit me energji elektrike (që qytetarët e Kosovës dhe konsumatorët e KEDS e kanë gëzuar vitin e kaluar), gjatë muajve të kaluar KEDS ka identifikuar dhe ka siguruar furnizimin më të lirë të mundshëm për vendin, dhe këtë mëtojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen.
Konsumatorët janë prioritet i KEDS andaj edhe zgjidhjet e shpejta janë të rëndësisë së veçantë me qëllim të evitimit të reduktimeve gjatë dimrit, në momentin kur furnizimi është vital për të siguruar komoditet dhe përmbushje të nevojave bazike për qytetarë.
Pas vlerësimit të situatës me të gjithë partnerët, ne kemi dorëzuar kërkesën për vlerësim të jashtëzakonshëm të kostove të ngritura të importit tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për të bërë vlerësim të saktë të situatës së krijuar dhe për të përcaktuar hapat e mëtejme dhe zgjidhjet e mundshme. KEDS dhe të gjithë operatorët dhe palët e treta vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar zgjidhjet më të mira dhe më se paku të kushtueshme për tejkalim të krizës energjetike.
Në mënyrë proaktive kemi bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse për gjetje të zgjidhjeve dhe vazhdojmë të qëndrojmë pranë konsumatorëve. Megjithatë, kostot shtesë të importit paraqesin shqetësim të madh për stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare të sektorit të energjisë në Kosovë.
Përfundimisht, besojmë që të gjithë mund të kontribuojnë në ditë të tilla të vështira për sektorin e energjisë në Kosovë, andaj edhe lusim të gjithë të përdorin energjinë në mënyrë të përgjegjshme.