KEDS importon energji pas shpërthimit
Prishtinë, 6 qershor - Pas shpërthimit në termocentralin Kosova A dhe interesimit të shtuar të medieve lidhur me furnizimin me energji elektrike, KEDS njofton se ka negociuar dhe ka siguruar import të energjisë elektrike për të mbuluar mungesën e prodhimit me ndaljen nga puna të Termocentralit Kosova A dhe për momentin nuk ka reduktime të energjisë elektrike.
Sa i përket ditës së zgjedhjeve, ekipet e KEDS janë në gjendje të shtuar gatishmërie dhe do të punojnë 24 orë pandërprerë gjatë vikendit dhe të hënën për të siguruar energji elektrike dhe për të mbuluar nevojat e qytetareve dhe institucioneve në Republikën e Kosovës.
KEDS, përmes ekipeve në terren do të ketë në vëzhgim të gjitha qendrat e votimit për të qenë të gatshëm për parandalimin dhe eliminimin e menjëhershëm të ndonjë prishjeje teknike që mund të shkaktojë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në këto qendra.
Një linjë e veçantë e komunikimit do të jetë në dispozicion për institucionet e ruajtjes së rendit dhe qetësisë dhe për palët e tjera, të përfshira në procesin zgjedhor në Kosovë. E gjithë kjo bëhet me qëllim që procesi i raportimit të problemeve të mundshme në rrjetin e furnizimit me energji elektrike të jetë më i shpejtë dhe efikas.
Luten të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të raportojnë problemet e ndryshme në rrjetin e shpërndarjes në numrat në vijim: 038 501 701 1000 dhe / ose 038 79 1000 [email protected]. Ju sigurojmë që të gjitha problemet tuaja ti sanojmë në afatin sa më të shkurtër kohor, pasi që ekipet tona janë të pranishme me numër maksimal gjithandej Kosovës.
Besojmë që procesi zgjedhor do ti përmbushë të gjitha vlerat demokratike të Republikës së Kosovës dhe urojmë proces të mbarë zgjedhor!
Përfundimisht, edhe njëherë dëshirojmë të theksojmë që jemi të prekur thellë me aksidentin që ndodhi në Termocentralin Kosova A dhe në këto momente të vështira bashkëndjejmë me familjarët dhe të gjithë punëtorët e KEK-ut. KEDS është i gatshëm të ofrojë ndihmë dhe përkrahje të të gjitha niveleve për KEK-un dhe ka mobilizuar të gjithë stafin dhe kapacitetet logjistike në shërbim të tejkalimit sa më shpejtë të situatës.