KEDS është duke importuar gjithë energjinë në dispozicion në treg
Prishtinë, Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të KEK për rregullimin e prishjes në njësinë gjeneruese B2 të Termocentralit Kosova B, në orët e hershme të mëngjesit jemi lajmëruar nga KEK për prishje të re në të njejtën njësi gjeneruese.
B2 është njëra prej dy njësive të vetme gjeneruese që prodhonin energji elektrike pas aksidentit Kosova A të KEK. Dy ditë radhazi, i gjithë furnizimi me energji elektrike varet nga vetëm një njësi gjeneruese në termocentralin Kosova A të KEK (130 MW) dhe nga importi i shtuar jashtë mase që KEDS realizon dhe mbulon.
Zyrtarë të KEK janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të rregulluar prishjen në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor dhe ende nuk jemi lajmëruar për kohën e saktë të kthimit të njësisë nga KEK.
Për më shumë, jemi lajmëruar që KEK ka arritur të sigurojë përkrahje nga KESH (100 MW), përkrahje kjo që edhe ditën e djeshme nuk ishte e mjaftueshme dhe nuk e përmbush sasinë e energjisë që duhej prodhuar nga njësia B2 dhe njësitë tjera që janë jashtë pune. KEDS ka shtuar sasinë e importit për të mbuluar mungesën e shfaqur si pasojë e problemeve edhe në njësinë B2.
KEDS është duke importuar gjithë energjinë në dispozicion në treg, sidoqoftë për shkak të disponueshmërisë së limituar mund të ketë ndërprerje të energjisë gjatë ditës edhe pse për momentin gjendja është stabile.
Përfundimisht, besojmë që të gjithë mund të kontribuojnë në ditë të tilla të vështira për sektorin e energjisë në Kosovë, andaj edhe lusim të gjithë të përdorin energjinë në mënyrë të përgjegjshme.