KEDS e rrit sigurinë në Trafostacione
Prishtinë, 26 mars - Mbi 2000 dryna të rinj janë vendosur në trafostacione dhe trafoshtylla të KEDS-it. Ata, pos që eliminojnë rrezikun e kontaktit të qytetarëve me asetet e energjizuara, mund të hapen me të njëjtin çelës.
Paralelisht me investimet në rrjet, KEDS po investon edhe në rritjen e sigurisë në trafostacione. Tashmë ka nisur projekti për zëvendësimin e drynave në trafostacionet 10/04 kV, trafoshtylla dhe vendosjen e ormanëve në objektet banesore dhe afariste. Deri tash janë ndërruar mbi 2000 dryna në të gjitha distriktet. Implementimi i këtij projekti do të vazhdojë deri në kompletimin e tërësishëm në objektet e cekura më lart, thotë Sabri Grajqevci, koordinator për elektroinxhiniering. Projekti ka nisur me 1 shkurt dhe parashihet të përfundojë deri me 1 qershor. Projekti në total parasheh ndërrimin e afro 6500 drynave.
Më herët, në shumë trafostacione dhe asete përcjellëse të energjizuara ekzistonte rreziku permanent i kontaktit eventual të ndonjë qytetari me energjinë elektrike si pasojë e aseteve të dëmtuara, të cilat KEDS i ka trashëguar. Tashmë ky rrezik po eliminohet.
Por, pos sigurisë, në rast të ndonjë të papriture KEDS ka menduar edhe për fleksibilitet në kryerjen e punëve dhe intervenim sa më të shpejtë të mundshëm. Të gjithë drynat e vendosur mund të hapen me një çelës të vetëm. Secili punëtor i autorizuar e ka një të tillë. Këta dryna gjithashtu pamundësojnë qasjen e personave të paautorizuar në trafostacione, trafoshtylla dhe ormanë në objektet banesore dhe afariste, tregon Grajqevci.
Drynat e zëvendësuar kanë llogon e KEDS-it, janë unikat dhe sipas standardeve evropiane IEC. Ata, pos përparësive të përmendura më lartë do të ndikojnë edhe në ruajtjen e pajisjeve nga dëmtimi në këto objekte nga personat e pautorizuar, do të pamundësojnë kyçjen ilegale të njehsorëve nga personat e pautorizuar dhe keqpërdorimet e energjisë elektrike.
Krahas projektit për vendosjen e drynave në trafostacione KEDS po merret edhe me riparimin e objekteve të trafostacioneve ku ishin dëmtuar dyert dhe qasja e qytetarëve ishte e lirë. Pos sigurisë, mbrojtjes së aseteve dhe rritjes së efikasitetit, investime të tilla po ndikojnë edhe në aspektin estetik. Deri tash janë riparuar 6 objekte të trafostacioneve në Obiliq, dy në Gjakovë dhe do të vazhdohet tutje deri në kompletimin e riparimit të tyre, i cili nuk është bërë asnjëherë që nga koha kur janë ndërtuar.
Ky projekt do të implementohet në tërësi nga ekipet e mirëmbajtjes së distrikteve dhe ekipeve të Departamentit të Inxhinieringut.
Implementimi i projektit të filluar sivjet do të vazhdojë deri në montimin e tërësishëm të tyre në objektet e cekura.