Katër kompani në garë për privatizimin e Distribuimit të KEK
Prishtinë, 6 prill - Komiteti Qeveritar për privatizimin e Kompanisë së Distribuimit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), ka mbajtur sot takimin e radhës me çrast janë shpallur kompanitë e para-kualifikuara në procesin e privatizimit të KEDS-it. Afati i fundit për dorëzimin e Aplikacioneve për Para-kualifikim ka qenë 18 Mars 2011.
Njësia për Implementimin e Projektit, ka pranuar aplikacionet prej katër (4) kompanive:
1. Limak Yatirim Enerji Üretim Işletme Hizmetleri Ve Inşaat A. Ş, (Limak), e regjistruar në Turqi
2. Çalık Enerji Sanayi ve Ticaret A.Ş. & Çalık Elektrik Dağıtım A.Ş. Consortium, (Çalik), e regjistruar në Turqi
3. TAIB Bank BSC (c) Yildizlar SSS Holding A.Ş. Consortium, (TAIB), të regjistruar në Turqi dhe Bahrein
4. Elsewedy Electric, (Elsewedy), e regjistruar në Egjipt.
Shqyrtimi i aplikacioneve për para-kualifikim është bërë nga Komisioni Vlerësues, me përfaqësues nga secila Ministri, anëtare e Komitetit Qeveritar të Privatizimit.
Pas shqyrtimit të detajuar të të gjitha dokumenteve të përfshira në aplikacionet e dorëzuara, Komisioni i Vlerësimit për Para-kualifikim, ka vlerësuar dhe rekomanduar që të katër kompanitë/konzorciumet i përmbushin kriteret e përcaktuara në Dokumentin e Para-kualifikimit. Ky rekomandim është në përputhje të plotë me rekomandimet e Këshilltarit të transaksionit, IFC.
Prandaj, pas rekomandimeve të marra nga Komisioni Vlerësues për para-kualifikim dhe Këshilltari i Transaksionit IFC, Komiteti Qeveritar i Privatizimit të KEDS-it, në takimin e sotëm, më 6 Prill 2011, ka marrë vendim unanim, që kompanitë: Limak, Çalik, TAIB, dhe Ellsewedy , të shpallë të Para-kualifikuara në procesin e Privatizimit të KEDS-it.