23 Dhjetor 2024

Japonia ripërtërin energjinë berthamore

Tokio, 9 tetor - Në Japoni ka patur një debat të vazhdueshëm rreth mënyrës më të mirë për të krijuar rezerva të sigurta dhe ekonomikisht të përballueshme energjie për këtë vend-ishull.

Alternativa bërthamore pësoi një goditje në mars të vitit 2011, kur një tërmet i fuqishëm dhe një cunami shkatërrues dëmtuan reaktorët e centralit kryesor bërthamor të Japonisë, Fukushima-1.

Por përkrahësit e energjisë bërthamore thonë se importimi i naftës apo gazit të shtrenjtë natyror për aktivitetin industrial do të dëmtojë prodhimtarinë e vendit.
 
Përkrahësit e industrisë bërthamore thonë se ky reaktor i avancuar ofron zgjidhje për problemin e burimeve të varfra energjetike të Japonisë.

Por pas shpenzimit të 13 miliardë dollarëve dhe 25 vjet pasi filloi ndërtimi, ai ka arritur të prodhojë rrymë elektrike vetëm për një orë.

Ish-drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Energjisë Atomike të Japonisë, Masahiro Kikuchi, thotë se investimi është ende i vlefshëm.

\"Një trilion jen, për një periudhë 10-20 vjeçare është një investim i vogël, nëse mund të arrijmë diçka të rëndësishme për njerëzimin.\"
               
Vlera e reaktorit Monju nuk ka të bëjë shumë me prodhimin e energjisë elektrike, por me prodhimin e plutoniumit.

Shkencëtarët besojnë se ky super-reaktor mund të krijojë lëndë djegëse bërthamore për reaktorët e tjerë të vendit, duke i dhënë fund nevojës për importim të uraniumit.

Por një seri aksidentesh kanë shkaktuar pezullime të operacioneve. Në vitin 1995, pati rrjedhje të qindra kilogramëve natriumi të shkrirë.

 Në vitin 2010, një pajisje tre-tonëshe ra mbi depozitën e reaktorit.

Zëvendës drejtori i përgjithshëm i Monjut, Takehide Deshimaru, thotë se, edhe njëherë, impianti është duke u përgatitur për të rifilluar operacionet e plota.

\"Do të varet nga rezultatet e testeve që po zhvillohen dhe nëse marrim miratimin e qeverisë, por ne shpresojmë që Monju të jetë 100 për qind në përdorim.\"

Nëse gjithçka shkon sipas planit, vitin e ardhshëm, turbinat në këtë dhomë do të fillojnë përsëri të punojnë dhe reaktori Monju do të prodhojë energji elektrike për rrjetin, duke shpresuar që këtë herë të zgjasë më shumë se një orë.

\"Edhe pse mediat vazhdojnë të përqëndrohen tek aksidenti në Fukushima, gjërat tashmë po qetësohen dhe kjo prirje do të vazhdojë. Jam i bindur se shumica e heshtur e japonezëve që po reflektojnë mbi politikën energjetike të vendit do të mbështesin sërish industrinë tonë.\"

Aktivistët anti-bërthamorë thonë se super-reaktorët janë më të rrezikshëm se reaktorët e zakonshëm, dhe Monju ndodhet pranë një zone sizmike. Ka edhe shqetësime mbi plutoniumin që reaktori mund të prodhojë dhe që mund të përdoret edhe për armë bërthamore.

Mbështetësit e Monjut thonë se siguria është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme për shkak të mësimeve të nxjerra nga aksidentet e vetë impiantit, si dhe prej studimit të asaj që ndodhi në Fukushima.

Ata thonë se inspektimet ndërkombëtare dhe ligjet japoneze nuk lejojnë që plutoniumi i Monjut të mund të bëhet pjesë e projekteve klandestine të prodhimit të armëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)