Japonia mbyll përgjithmonë edhe dy reaktorë të tjerë bërthamorë
Tokio, 23 dhjetor - Kompania japoneze e energjisë elektrike “Kansai Electric Power” zyrtarizoi mbylljen në 2019 të dy reaktorëve të vjetër bërthamorë, për shkak të një kostoje mjaft të lartë rehabilitimi me masat e reja të sigurisë post-Fukushima.
Të pajisur me një kapacitet prej 1.175 megavat secila, degët 1 dhe 2 të centralit bërthamor të Oi, në rajonin Fukui (perëndim) do të mbyllen, duke e çuar në 14 numrin e reaktorëve në Japoni të destinuar për t’u mbyllur përfundimisht pas katastrofës bërthamore të Fukushimës në mars 2011, shkaktuar nga një tërmet i fuqishëm që u pasua me një cunami të paprecedentë.
Prej kësaj fatkeqësie, katastrofa më e keqe bërthamore botërore prej Çernobilit në 1986, Japonia ka rritur ndjeshëm nivelin e kërkesave të saj të sigurisë bërthamore.
“Kansai Electric Power’ kishte parashikuar më parë të kërkonte një zgjatje me 20 vite të kohëzgjatjes së shfrytëzimit të njësive 1 dhe 2 të Oi, të vëna në shërbim në 1979.
Por kompania vlerësoi se kostot do të ishin shumë të rëndësishme, ndërkohë ajo parashikon tashmë të investojë rreth 830 miliardë jen (më shumë se 6 miliardë euro) për të rivendosur brenda normave shtatë reaktorët e tjerë që punojnë në rajonin e Fukui, përfshirë dy të tjerë në Oi, të ndërtuara më vonë.
Aktualisht, vetëm 5 reaktorë janë në funksion në Japoni, të gjithë të llojit me ujë (PWR apo REP), në një kantier që numëronte 54 njësi para katastrofës së Fukushimës.