Japoni, probleme me mungesën e energjisë elektrike
Tokio, 27 prill - Zyrtarët japonezë thonë se po shqyrtojnë mënyra për të përballuar problemin e mungesës së energjisë elektrike këtë verë, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për kompanitë e mëdha, përfitime për ata që kursejnë energji dhe ndryshimin e orës.
Zyrtarët e qeverisë japoneze diskutuan një plan shpëtimi për Kompaninë Tokjo të Energjisë Elektrike, pronare e uzinës bërthamore të Fukushimës.
Qeveria thotë se kompania duhet të mbetet private me aksione të mjaftueshme për të paguar viktimat e aksidentit më të rëndë bërthamor në 25 vjet.
Në uzinën e Fukushimës, punëtorët njoftuan sot se niveli i ujit me radioaktivitet të lartë vazhdon të rritet në bodrumet dhe tunelet e disa prej gjashtë reaktorëve bërthamorë, pavarësisht nga përpjekjet prej një jave për ta pompuar atë jashtë.