Ismajli në konferencën për Efiçiencë të Energjisë në Tiranë
Tiranë, 14 shtator - Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli po qëndron në Tiranë në Konferencën me titull Politikat e Efiçiencës së Energjisë mundësitë për bashkëpunimin rajonal, organizuar nga Forumi Ballkanik dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Me këtë rast Ismajli së bashku me homologun e tij, Damian Gjiknuri, drejtoreshën e Forumit Balkanik Luna Kallash dhe përfaqësuesin e delegacionit evropian Clive Rumbold, kanë hapur punimet e kësaj konference.
Ismajli, duke falënderuar të pranishmit ka vlerësuar lartë rëndësinë e këtij takimi duke thënë se sot energjia përbënë një nga sfidat më të mëdha të civilizimit njerëzor, e sidomos të vendeve në zhvillim.
Mungesa e burimeve të mjaftueshme të energjisë dhe kapitalit për ti shfrytëzuar, ka ngritur nevojën për shfrytëzim sa më racional të sasisë ekzistuese të energjisë, ka thënë Ismajli.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se tashmë Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës për periudhën 2013-2022 është proceduar për miratim në Kuvend të Kosovës, duke shtuar se synimi kryesor i kësaj strategjie është orientimi i politikave të përshtatshme për furnizim të qëndrueshëm të energjisë.
Ministri Ismajli, para të pranishmëve ka pohuar se Kosova si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të energjisë, përpos harmonizimi të legjislacionit në përputhje me direktivat përkatëse evropiane, në fushën e efiçiencës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm politiko-programor, ligjor dhe institucional për promovimin e efiçiencës së energjisë.
Kemi ligjin për Efiçiencë të Energjisë, nje sërë udhëzimesh administrative dhe është themeluar Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë si dhe Komisioni Çertifikues i Auditorëve dhe Menaxhereve të Energjisë. Po ashtu janë bërë investime të konsiderueshme në fushën e EE me projekte të bashkë financuara nga GIZ, KFË-së, Komisioni Evropian, Banka Botërore, BERZH-i, UNDP si dhe IFC, drejt promovimit dhe zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë në ndërtesat publike, ndriçimin publik nëpër qytete e Kosovës si dhe financimi në NVM dhe amvisëri, ka thënë ministri Ismajli .
Nga ana e tij ministri i Energjisë dhe Industrisë z Damian Gjiknuri, është shprehur se bashkëpunimi rajonal ne fushën e efiçiencës së energjisë sjellë përmirësimin e kusheteve të jetesës së qytetareve, rrit mundësitë e punësimit si dhe ulë koston e faturës së energjisë .
Po ashtu ministri Gjiknuri, ka përmendur ndikimet që kursimi i energjisë sjellë në fushën e ambientit duke shtuar se çështjen e efiçiencës së energjisë qeveria shqiptare e trajton me seriozitetin maksimal ,duke ditur ndikimet pozitive të saj .
Ndërsa, për rëndësinë e këtij takimi , kanë folur edhe Luna Kalash drejtoreshë e Forumit Ballkanik dhe Clive Rumbold përfaqësues i delegacionit evropian, të cilët kanë potencuar faktin se bashkëpunimi i vendeve të rajonit në fushën e efiçiencës së energjisë është i domosdoshëm dhe si i tillë krijon mundësi të mira punësimi respektivisht hap perspektivë më të shpejt drejt BE-së.