Ismajli inkurajon investitorët për TC Kosova e Re
Prishtinë, 25 qershor - Në kuadër të takimeve me investitorët e parakualifikuar në projektin e Termocentralit Kosova e Re, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli i shoqëruar nga këshilltarët e IFC dhe Raiffaisen Investment, kanë takuar përfaqësuesit e kompanisë Park Holding me të cilët ka diskuatuar mbi ecurinë e këtij projekti.
Diskutimet lidhur me projektin e TC-së janë zhvilluar në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike në vend dhe mundësisë që ato të interferojnë në agjendën e paraparë për këtë proces.
Ministri Ismajli i ka përsëritur qëndrimin e tij se projekti i TC-së ka një përkrahje të gjerë politike në Kosovë dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë këtu Bankën Botërore, Komisioni Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mekanizmat tjerë relevantë.
Ismajli nënvizoi rëndësinë që ka ky projekt për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e furnizimit me energji, i cili do të ndikojë direkt në aspektin e përmbushjes së standardeve evropiane në sektorin e energjisë.
Kreu i MZHE-se pohoi se struktura aktuale e projektit është e përshtatshme për siguruar financimin dhe fillimin e fazës së ndërtimit, dhe inkurajoi investitorët që të procedojnë më tutje me hapat vijues në procedurën tenderuese.