Investimi 20 milionësh për masa të Eficiencës së Energjisë fillon me Komunën e Lipjanit
Prishtinë, 23 nëntor - Sot, u nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi në mes Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) dhe Komunës së Lipjanit mbi implementimin e projektit për riparimet për efiçiencë të energjisë në këtë komunë.
MFK, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Petrit Selimi, dhe Komuna e Lipjanit, përfaqësuar nga Kryetari Imri Ahmeti, u zotuan të rrisin bashkëpunimin drejt investimit në masa që do të zvogëlojnë konsumin e energjisë.
Sipas kësaj marrëveshjeje përcaktohen parimet dhe procedurat drejt përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin rezidencial, përmes ofrimit të asistencës teknike dhe mbështjetjes financiare për të bërë shtëpitë në këtë komunë më efiçiente.
Në kuadër të Pakos së Intervenimit për Riparimet për Efiçiencë të Energjisë në Ndërtesa Banesore (AER), do të riparohen rreth 700 apartmane në 7 komuna të Kosovës, duke zvogëluar konsumin e energjisë elektrike, si dhe duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes për përftimet që sjellin masat për efiçiencë të energjisë.
Kjo pako e intervenimit ndër të tjera përfshin: përmirësim e izolimit termik të mureve, kulmeve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme; renovimin e kaldajave të sistemit të ngrohjes qendrore dhe riparime të tjera të ngjashme që dukshëm ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike.
Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, u shpreh i lumtur për fillimin e këtij projekti duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin me komunën në fjalë.
Ai e cilësoi Lipjanin si një komunë tejet mirë të menaxhuar, që është përzgjedhur nga Banka Botërore për projektin për krijimin e këshilleve banesore dhe auditimeve energjetike.
Përveç tjerash, Selimi shtoi “Ky projekt do të hapë rrugën për një koncept të ri të subvencioneve për të kontribuuar në përmirësimin e efiçiencës të energjisë në shtëpitë në Kosovë.”
“MCC është e lumtur të mbështesë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që reflekton një bashkëpunim të frytshëm që nga fillimi. Mezi presim të fillojmë punimet për përmirësimin e rehatisë dhe efiçiencës së shtëpive në Lipjan, si dhe komunave të tjera partnere” tha Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead.
Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, çmoi lartë mbështetjen e ofruar nga MFK dhe MCC, duke e konsideruar si tejet të rëndësishme dhe jetike për qytetarët e Komunës së Lipjanit.
“Riparimet për efiçiencë të energjisë padyshim që do të ndihmojnë në kursimin e energjisë në sektorin residencial, si dhe do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve” shtoi ai.
Kryetari Ahmeti u zotua se prioritet të vecantë në buxhetin e Komunës së Lipjanit do t’i kushtohet riparimeve për efiçiencë të energjisë, duke mos u kufizuar vetëm në ndërtesa shumë-banesore por duke u zgjeruar edhe në shtëpitë tjera individuale.
Në kuadër të projektit 20.6 milionësh ‘Subvencione për Eficiencë të Energjisë’, do të lidhen edhe 6 memorandume të tjera bashkëpunimi me komunat si: Prishtinë, Gjakovë, Viti, Mitrovicë, Gracanicë, Novobërdë, me qëllim të kontribuimit në zvogëlimin e konsumit të energjisë përmes stimujve financiarë në masa të eficiencës së energjisë.
SEEK është pjesë e projektit “Peizazhi i Energjisë së Besueshme (RELP), mundësuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), me qëllim të zvogëlimit të hendekut midis kërkesës dhe furnizimit me energji.