Implementimi i strategjive mbi ndryshimet klimatike, sfidë për Kosovën
Prishtinë, 27 shtator - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Balkan Green Foundation (BGF), në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), përgjatë "Javës së Diplomacisë Klimatike 2018", organizuan tryezën e rrumbullakët me temën: “A është Kosova e gatshme për të trajtuar ndryshimet klimatike?”
Në fjalimin hyrës, Drejtori Ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Visar Azemi, tha se çështja e ndryshimeve klimatike është një realitet që po e përcjellë Kosovën përditë e më shumë. Sipas tij, Kosova edhe pse vend i vogël, ka potencial dhe obligim që të shkurtojë dukshëm lirimin e gazrave serrë dhe të jetë shembull në rajon për adoptim të teknologjisë së re e inovative për prodhimin dhe konsumimin e energjisë së pastër.
Tryeza u nda në dy panele diskutuese, ku paneli i parë diskutoi mbi koherencën legjislative dhe zbrazëtirat në zbatim drejt implementimit të planeve strategjike mbi ndryshimet klimatike.
Ivana Mijatoviq Cernos nga DG KLIMA, Komisioni Evropian, u shpreh se Kosova edhe pse nuk është nënshkruese e Marrëveshjes së Parisit, duhet të përkushtohet në uljen e emetimeve, caktimin e politika të reja mbi ndryshimet klimatike, dhe ngritjen e kapaciteteve teknike – duke hapur rrugë për zhvillimin ekonomik, social e mjedisor në vend.
Nga Ministria e Integrimit Evropian, Ilir Muçaj tha se sfida kryesore e Kosovës është pamundësia e të qenit pjesë e mekanizmave ndërkombëtare, mirëpo ndryshimet klimatike janë të përfshira në programet e hartuara në Qeveri duke qenë se Kosova ka obligime që të adaptojë politikat shtetërore në hap me trendet dhe direktivat e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Tutje, Rinora Gojani nga BGF/KOSID, tha se Kosova ka rrugë të gjatë sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, duke qenë se ka vonesa të dukshme në zbatimin e rregulloreve që BE i harton. Tutje Gojani tha se presion duhet bërë në shtyrjen e implementimit të strategjive për ngrohjen globale, duke bërë forcimin e veprimeve të nevojshme shtetërore, si dhe prioritizimin e temave mbi ndryshimet klimatike.
Në anën tjetër, Avni Sfishta nga GIZ, tha se në emër të Qeverisë Gjermane, GIZ është duke e përkrahur Kosovën në fushën e efiçiencës së energjisë, duke theksuar se efiçenca e energjisë dhe burimet e rinovueshme, përveç efekteve positive, krijojnë treg të punës dhe kontribuojnë në uljen ndikimeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Tutje, paneli i dytë diskutues pati temë sfidat kryesore dhe veprimet e nevojshme për zbutjen e ndryshimeve klimatike në Kosovë, duke diskutuar mbi mundësitë dhe pengesat kyçe për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të mjedisit.
Avdulla Alija, nga Univestiteti i Prishtinës tha se sfidë e vazhdueshme për ta shtjelluar temën e ndryshimeve klimatike është mungesa e hulumtimeve shkencore, shifrave dhe fakteve mbi temen në fjalë në Kosovë. Sipas tij, duhet punuar shumë jo vetëm në adoptimin e strategjive, mirëpo edhe në hulumtimin dhe studimin e efekteve të tyre në mjedis e shoqëri.
Tutje, Chad Briggs, nga RIT Kosova tha se duhet pasë parasyshë mungesën e të dhënave mbi gjendjen aktuale të mjedisit, dhe ndryshimeve klimatike – gjë që e vështirëson procesin e hartimit të politikave të duhura energjetike e mjedisore në mënyrë të strukturuar dhe të vazhdueshme.
Gjithashtu, pjesë e panelit ishte edhe Trim Ilazi nga OJQ PEN, ku tha se ndotja e ajrit sidomos në sezonën vjeshtë/dimër, është në nivele alarmante në çdo pjesë. Ilazi u shpreh se është e domosdoshme rritja e vetëdijësimit dhe kulturës shoqërore ndaj ndotjes së ajrit e mjedisit, dhe se duhet ngritur përpjekjet për të ndikuar institucionet përgjegjëse për marrjen e veprime adekuate për minimizimin e ndryshimeve klimatike në vend.
Në diskutimin e hapur, përfaqësues nga institucionet vendore dhe organizatave të shoqërisë civile u pajtuan se është e rëndësishme që publiku i gjerë të informohet mbi rëndësinë e marrjes së masave adekuate për trajtim efikas të ndryshimeve klimatike - cila po krijon sfida kritike sociale dhe natyrore në të gjithë globin.
“Java e Diplomacisë Klimatike 2018” është një iniciativë e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tashmë për të dytën herë, dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike, dhe zbutjen e trendeve negative në ndryshimeve klimatike në Kosovë.