IFC: Projekti i KEDS-it konform standardeve ndërkombëtare
Prishtinë, 27 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në një takim pune Per Kjellerhaug, Menaxher i International Finance Corporation (IFC) për Ballkanin dhe Elira Sakiqi, përfaqësuese e IFC-së për Shqipërinë dhe Kosovën.
IFC me këtë rast ka shprehur kënaqësinë me realizimin e deritanishëm të projektit të privatizimit të KEDS-it dhe ka theksuar që ky projekt është realizuar duke respektuar standardet më të larta ndërkombëtare.
Ministri Beqaj gjatë takimit me përfaqësuesit e IFC-së ka diskutuar edhe rreth mundësisë së mbështetjes së projekteve në sektorë të ndryshëm, e posaçërisht në infrastrukture, energji dhe sektorin financiar.
Kreu i MZHE-së ka shpalosur disa nga projektet më të rëndësishme të cilat mund të përkrahen financiarisht nga IFC.
Gjithashtu, Beqaj dhe drejtuesit e IFC-së kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, ndërsa kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm.