Humbjet teknike që i arkëton KEK janë marramendëse
Prishtinë, 7 shtator - Instituti KIPRED, Instituti GAP dhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media, ku u publikua studimi për sektorin e energjisë në Kosovë.
Ky studim kërkimor është një analizë e perspektivave dhe rolit të palëve kryesore me ndikim në sektorin e energjisë në Kosovë, duke u fokusuar në projektet dhe politikat aktuale të energjisë. Studimi analizon strategjinë e Kosovës për energjinë, modelin e tregut të energjisë dhe privatizimin.
Mungesa e transparencës në privatizim, kompanitë e parakualifikuara të papërvoja në ndërtim e distribuim dhe përfshirja e Kosova B në marrëveshje të privatizimit janë probleme qenësore rreth sektorit të energjisë në Kosovë.
Mungesa e studimeve për energji alternative dhe përpilimi i strategjisë për energji bazuar plotësisht në linjit nuk i përmbush kriteret e BE-së. Humbjet teknike dhe komerciale që i arkëton Korporata Energjetike e Kosovës çdo vit janë marramendëse dhe të papranueshme.
Konluzionet dhe shqetësimet e organizatave të përfshira në këtë studim shtrihen prej atyre ekonomike gjatë procesit të privatizimit deri te ato që kanë të bëjnë me ambientin.
Në konferencë ishin prezent drejtorët ekzekutiv të të tre organizatave. Për të përmirësuar këto çështje, si dhe probleme të tjera të evidentuara në studim, akterët që kanë marrë pjesë në studim kanë përpiluar disa rekomandime.