Hidrocentralet e planifikuara brenda parqeve kombëtare dëmtojnë ambientin
Prishtinë, 13 mars - Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan konferencë për media ku prezantuan gjetjet nga studimi për hidrocentralet në Kosovë dhe problemet me ndërtimet e tyre, posaçërisht brenda parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura.
Gjatë konferencës u shpalos situata e përgjithshme e sektorit të hidroenergjisë në Kosovë, planet dhe potencialin real të kapacitetit ujor, si dhe problemet e shfaqura nga operimi i hidrocentraleve ekzistuese në vend.
Në konferencë u theksua se Kosova si një vend i varfër me ujëra, nuk e ka të mjaftueshëm këtë resurs kyç që të akomodoj një numër kaq të madh të hidrocentraleve të planifikuara në vend.
Hidrocentralet po bëhen pa pasur parasysh impaktet e këtyre punimeve në mjedis dhe në jetën sociale e ekonomike të komuniteteve që preken nga këto ndërhyrje.
Besfort Kosova, Hulumtues nga Balkan Green Foundation (BGF), prezantoi të dhënat e detajuara të studimit duke cekur se projektet e ndërtimit të kapaciteteve të reja nga uji duhet rreptësisht të ndalohen në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura të natyrës.
Kosova tha se “Promblematik mbetet fakti se 62% (48 nga 77) e hidrocentraleve të vogla ekzistuese dhe të planifikuara gjenden në brendi të zonave me rëndësi të veçantë natyrore, si parqe kombëtare, rezervate strikte të natyrës, zona të veçanta të mbrojtura, dhe zona me veçori të shumta relikte dhe endemike të florës, vegjetacionit, faunës, habitateve natyrore, bimore dhe shtazore, etj”.
Ai shtoi se BGF dhe INDEP nuk janë kundër hidrocentraleve por avokojmë që ato të ndërtohen në vende të caktuara ku nuk e bëjnë degradimin e ambientit, nuk e dëmtojnë biodiversitetin dhe nuk shkaktojnë probleme të ndryshme mjedisore, sidomos në tharjen e lumenjve apo edhe në dëmtimin e ujërave nëntokësorë.
"Investitorët duhet të kenë parasysh komunitetet lokale dhe të konsultohen me gjithë akterë e ndikuar, poashtu edhe duhet të ketë një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, jo vetëm në planifikim por edhe në monitorim të këtyre projekteve”.
Ndërsa, Dardan Abazi, Hulumtues nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), theskoi se energjia nga burimet e ripërtrishme është një ndër faktorët kyç që ndikon në qëndrueshmërinë e sistemit energjetik të Kosovës.
Si e tillë, shfrytëzimi i duhur i saj sipas tij është i rëndësishëm për të siguruar se tranzicioni energjetik është në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve.
"Politikëbërja duhet të ketë në fokus mjedisin në hartimin e strategjive dhe të rivlerësohet potenciali i burimeve të ripërtëritshme për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë."
"Mbi të gjitha, krijimi i këtyre politikave duhet të bëhet me transparencë të plotë duke përfshirë qytetarët, komunitetin dhe shoqërinë civile,” tha Abazi.
Në përmbyllje të konferencës gjithashtu u ofruan rekomandime dhe hapa konkrete të cilat institucionet relevante duhet t’i ndërmarrin në mënyrë që të përmirsohet sektori i hidroenergjise dhe poashtu te arrihen caqet obligative të Kosovës në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
U ritheksua se në zonat me statusin më të lartë të mbrojtjes edhe hidrocentralet e vogla nuk janë të pranueshme si një zgjidhje e qëndrueshme.