29 Dhjetor 2024

Hedhësit e mbeturinave do të dënohen nga 5 deri 100 euro

Prishtinë, 24 janar - Janë të shumta rastet kur qytetarët hedhin mbeturina të ndryshme në hapësirat publike, rrugët dhe sheshet tona, por të pakta janë rastet kur ata janë gjobitur për këtë vepër.

Ndotja e mjedisit është shkelje ligjore dhe vepër e cila ndëshkon me gjobë secilin shkelës.  

Për këtë qëllim Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka nxjerrë Udhëzim Administrativ për Ndëshkimet me gjoba mandatore, i cili tashmë edhe ka hyrë në fuqi.

Ky Udhëzim Administrativ, ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara. Me anë të këtij UA përcaktohen procedurat për shqiptimin e ndëshkimeve me gjoba mandatore personave fizik dhe juridik të cilët dëmtojnë mjedisin duke hedhur mbeturinat jo në vendin e duhur.  

 MMPH me këtë Udhëzim Administrativ nuk ka qëllim dëmtimin e qytetarëve me gjoba, por kjo do të jetë një formë e parandalimit të ndotjes së mjedisit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik përmes vetëdijesimit të qytetarëve dhe administrimit të drejtë të mbeturinave.

Gjobat kategorizohen nga 5 euro deri në 100 euro, varësisht nga dëmi që i bëhet mjedisit, ku gjoba më e lartë do të shqiptohet për hedhjen e çfarëdo lloj mbeturine në ujëra të përroskave, lumenjve, liqeneve ose sipërfaqeve të tjera me ujë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka lëshuar një Qarkore, me anë të së cilës kërkon nga kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, që konform kompetencave dhe detyrimeve ligjore, të përmbushin detyrimeve ligjore, që dalin nga legjislacioni në fuqi në fushën e Mjedisit, në mënyrë që të ketë përmirësime të gjendjes mjedisore në çdo komunë.

Në letër theksohet se duke u bazuar edhe në kërkesat e vazhdueshme që dalin nga Raporti i Progresit dhe ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve, del si domosdoshmëri që të bëhet një bashkërenditje dhe koordinim i veprimeve në drejtim të Implementimit të Ligjeve në fuqi.

Përveç çështjeve që specifikohen në Ligjet bazike në sferën e Mjedisit, Ministri Agani në letrën e tij dërguar kryetarëve të komunave, kërkoi që t’i jepet përparësi pikërisht zbatimit të këtij Udhëzimit Administrativ, Ndëshkimet me Gjoba Mandatore.

Edhe pse zbatimi mbetet sfide e çdo legjislacioni, ndjekjen e zbatimit të  këtij UA nuk duhet ta presim vetëm nga inspektorati i MMPH-së, por ky UA mund të gjejë zbatim me aktivizimin më të madh të inspektoratit komunal të mjedisit në çdo komunë të Kosovës dhe me ndihmën permanente të Policisë së Kosovës e cila obligohet të ndërmerr masa dhe të zbatoj dispozitat e Ligjit për Mbeturina dhe dispozitat  e këtij Udhëzimi.

Autoritetet kompetente të cilat e bëjnë shqiptimin e ndëshkimit me gjobë mandatore sipas dispozitave të këtij Udhëzimi, përmes organeve të tyre udhëheqëse obligohen të raportojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për numrin, veprimin e ndëshkimeve me gjobë mandatore dhe për vlerën e tyre në të holla. Mjetet financiare që paguhen për këto gjoba derdhen në buxhetin e shtetit.

Në lidhje me këtë Udhëzim Administrative, MMPH do të bëjë sensibilizimin e opinionit, njoftimin e qytetarëve me nivelin e gjobave për hedhjen e mbeturinave në mjedis të hapur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)