Hapet kampanja e pastrimit “Green & Clean”
Gjilan, 22 prill – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nëpërmjet një konference për media, ka hapur të premten kampanjën e pastrimit “Green & Clean” e cila do të zgjasë deri më 5 qershor.
Kryetari Hyseni u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit që të bashkohen në këtë kampanjë “Green & Clean” me qëllimin që ambienti që na rrethon e ajri që e thithim të jetë sa më i pastër.
“Qëllimi ynë është që ta bëjmë kampanjën edhe vetëdijësuese e edhe të pastrimit. Përveç tjerash, përfshihet edhe mbjellja e drunjve dekorativë, largimi i deponive ilegale, vendosja e koshave të mbeturinave, pastrimi i shkollave, institucioneve e rrugëve”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Qëllimi ynë final është që kjo kampanjë të zhvillohet në vjetore e të rregullt, ndërkaq përpos pjesës së largimit të mbeturinave e pastrimit të hapësirave, është edhe mesazhi sensibilizues e thirrja që bashkë me qytetarët, inspekcionin e policinë, të parandalojmë krijimin e deponive ilegale e ndotjen e ambientit”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Me pas, kryetari Hyseni, nënkryetarja Morina Bunjaku së bashku me përfaqësuesit e institucioneve lokal​e, Eco-Higjienën, policinë e të rinjtë dhe të rejat, kanë vazhduar pastrimin e parkut të qytetit, pastrimin e hapësirave të institucioneve komunale, ndërkaq në ora 13:00 do të bëhet mbjellja e drunjve dekorativë, derisa në mbrëmje do të bëhet larja e rrugëve.
Ndryshe, kampanja e pastrimit do të zgjasë deri më 5 qershor, ndërkohë që janë paraparë të mbahen dhjetëra aktivitete në lokacione të ndryshme.