Hapet info-këndi për efiçiencë të energjisë
Prishtinë, 3 dhjetor - Në ambientet e Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës u hap Info-Këndi për efiçiencë të energjisë. Kryetari i Komunës Burim Berisha e mirëpriti hapjen e këndit të parë të këtij lloji në Kosovë që është përkrahur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE).
Info-Këndi përmban postera informues dhe mostra në praktikë të produkteve dhe shërbimeve që kontribuojnë në efiçiencën e energjisë. Furnizimi me material demonstrues është realizuar në bashkëpunim me kompanitë kosovare të cilat ofrojnë produkte dhe shërbime në sektorin e efiçiencës së energjisë.
Bedri Dragusha, kryeshef ekzekutiv i AKEE-së vlerësoj se ky model i ndihmon qytetarët të kuptojnë se si ndryshimi mund të fillojë nga ata. Ndërkohë, AKEE në bashkëpunim me komunat po punon për hartimin e planeve komunale për efiçiencë të energjisë, plane të cilat do ti identifikojnë sektorët ku duhet intervenuar.
Gjithashtu, informata më të hollësishme u prezantohen për fushatën informuese për efiçiencën e energjisë që po zhvillohet në të gjithë Kosovën, si dhe u bë publike uebfaqja e re e zhvilluar me përkrahjen e UNDP-së.
Gjatë përurimit u bënë të ditura edhe gjetjet e sondazhit të realizuar në shtator për efiçiencën e energjisë në Kosovë. Detaje për rezultatet e sondazhit dhe përkrahjen e UNDP-së për AKEE mund ti gjeni më poshtë.