Gratë e Hades protestojnë për largimin e dhunshëm nga shtëpitë
Prishtinë, 8 mars - Sot para përfaqësisë së Bankës Botërore në Kosovë, gratë dhe vajzat e fshatit Hade në bashkëpunim me Forumin për Iniciativa Qytetare - FIQ organizojnë protestë me moto \"Jeta e fëmijëve tonë vlen më shumë se qymyri\".
Reagimi i nënave dhe vajzave të fshatit Hade, vjen si rrjedhojë e dështimit të Institucioneve të Kosovës dhe Bankës Botërore për vite me radhë, për të realizuar një zhvendosje me dinjitet dhe me të gjitha standartet e hartuara prej vetë Bankës Botërore dhe të miratuara prej Qeverisë së Kosovës.
Përderisa sipas FIQ Qeveria e Kosovës nuk po ofron një zgjidhje për banorët e fshatit Hade, të izoluar prej planeve për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, llogariten rreth 7 mijë banorë që afektohen ekonomikisht prej procesit të zhvendosjes.
\"Evidenca e fundit ka qenë edhe aksioni i para dy ditëve ku Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues të Komunës së Obiliqit, të shoqëruar nga Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në mënyrë selektive kanë bërë shembjen e themeleve të shtëpive në Hade të Vjetër.\"
\"Përderisa është bërë shembja e themeleve të shtëpive të banorëve, që mihjet po ju kanosen çdo ditë e më tepër, në mënyrë selektive është shmangur shembja e themeleve të pronave të individëve që janë të afërt me pushtetin dhe që në mënyrë të paligjshme kanë ndërtuar shtëpia me qëllim kompensimin e mëvonshëm financiar\", thekson FIQ.
Banorët këtë e shohin si një hap më shumë drejt mbulimit të dëmeve dhe krimit ekonomik, që ka përcjellë procesin e zgjerimit të mihjeve.
Banorët e Hades nuk kanë të drejtë të ndërtojnë në tokat e tyre, nuk iu ofrohet zgjidhje në fshatin e ri Shkabaj, nuk kanë infrastrukturë bazike, përballen me mungesë rryme, uji,si dhe thithin çdo ditë ajrin e ndotur duke udhëhequr kësisoj kategorinë e varfërisë së skajshme.