Gollubocit të Malishevës i stabilizohet rryma elektrike
Prishtinë, 6 shtator - Energjia Elektrike më nuk do të jetë brenga parësore e banorëve të fshatit Golluboc në Komunën e Malishevës, sepse KEDS ka vendosur në këtë fshat trafostacionin e ri, bashkë me rrjetin përcjellës me gjashtë shtylla betoni.
Drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Milazim Morina tha se komuna e Malishevës, ka pasur shumë nevojë për investime në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Ai tregon se rrjeti energjetik në shumë fshatra të kësaj komune është i vendosur qysh para viteve të 70-ta, të cilat nuk kanë ofruar energji me cilësi të standarde. Investimet e bëra nga KEDS, sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e kualitetit të shërbimeve .
Ka pas vazhdimisht kërkesa, ankesa prej banorëve përreth për probleme me energji elektrike, e sidomos në ato pjesë ku shtyllat elektrike kanë qenë të vjetra, pasi që kanë rrezikuar edhe jetën e shumë banorëve. Mirëpo tash me këto investimet e KEDS veç se kanë filluar të shihen efektet pozitive, dukshëm është përmirësuar rrjeti, rreziqet thuajse janë eliminuar, janë investime mjaft të qëlluara mjaftë profitabile për banorët e fshatit si dhe për komunën në përgjithësi, tha Morina.
Në anën tjetër në KEDS thonë se investimet e trafostacionit dhe largpërçuesit në fshatin Golluboc të Malishevës janë bërë sipas të gjitha normave më të larta teknike.
Ndërtimi I LP 10 kV përbëhet prej gjashtë shtyllave të betonit me lartësi prej 12 metra. Në këtë trafo stacion do të ri kyqen 30 konsumatorë të cilët kanë qenë të kyçur në TS Golluboci. Në trafo stacion është montuar TR 160 kVA, ndarësi me bazamente 24 kV si dhe ormani TU në bazament, thonë në KEDS.
Projekti TS-10/04 Kv në Golluboc është i fundit nga tri sa janë miratuar për komunën e Malishevës. Inxhinier të kësaj kompanie deklaruan se me këto investime rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike do të jetë stabil për këtë anë.
KEDS, në kuadër të Planit Zhvillimor parasheh eliminimin e të gjitha lokaliteteve me rënie të tensionit në tërë territorin e vendit, zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit në bazë të kërkesave të popullatës dhe ekonomisë dhe uljen e humbjeve teknike e komerciale. Investimet e KEDS-it kanë nisur qysh në vitin 2013. Deri në tremujorin e parë të vitit 2016 janë investuar mbi 60 milionë euro, ku kanë përfituar mijëra konsumatorë shërbime më kualitative.