Gjysmë miliard euro për blerje të energjisë
Prishtinë, 14 maj - Rreth gjysmë miliard euro i kanë përfituar kompanitë serbe të energjetikës, por edhe kompani tjera nga shtete të ndryshme të Evropës, për rrymën që ia kanë shitur Kosovës për rreth një dekadë.
Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta Zëri shihet se nga viti 2001 e deri në vitin 2011, KEK-u për këtë qëllim ka shpenzuar hiç më pak se 410 milionë euro.
Por, në këtë shumë nuk hyjnë edhe mjetet që janë shpenzuar për import të energjisë gjatë vitit 2012 dhe gjatë vitit 2000. Sipas të dhënave të siguruara nga raportet e auditorit shihet se gjatë vitit 2011 KEK-u ka arritur kulmim për shpenzime të mjeteve për import të energjisë, ku për një vit janë shpenzuar rreth 59 milionë euro.
Në vitin 2010 sipas të dhënave të siguruara shihet se për import të energjisë KEK-u ka shpenzuar 44,7 milionë euro, në vitin 2009 i ka shpenzuar 49,9 milionë euro, në vitin 2008 janë shpenzuar 53,9 milionë euro si dhe në vitin 2007 KEK-u për këtë qëllim ka shpenzuar hiç më pak se 47,8 milionë euro. Gjatë vitit 2006 Korporata Energjetike e Kosovës ka shpenzuar dukshëm më pak mjete për import të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të auditorit shihet se gjatë këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 24,8 milionë euro, derisa në vitin 2005 janë shpenzuar vetëm 19,8 milionë euro, e në vitin 2004 për blerje të energjisë kompanive private iu janë dhënë 26 milionë euro.
Ndërkaq më së paku mjete për blerje të energjisë janë shpenzuar në vitin 2003, ku totali ka qenë rreth 19 milionë euro.Edhe gjatë vitit 2002 për import të energjisë nga vende të rajonit, por edhe më gjerë kompania ka shpenzuar 21 milionë euro, deri sa në vitin 2001 për këtë qëllim kompanive serbe, dhe evropiane iu janë dhënë hiç më pak së 44,1 milionë euro.....
/Zëri/